“Qytet i sigurt” në rajonin e Ohrit nis më 12 tetor

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski, sot realizoi një vizitë pune në SVR Ohër dhe në Qendrën Rajonale për Punë Kufitare Perëndim, ku me drejtuesit bisedoi për gjendjen aktuale të sigurisë, aktivitetet e vazhdueshme dhe prioritetet në punë.

Në SVR Ohër, theksi i veçantë u vendos mbi përgatitjet përfundimtare të qendrës komanduese, të domosdoshme për zbatimin praktik të sistemit “Qytet i sigurt” në territorin e Sektorit. Në takim u konstatua se aktivitetet janë në fazën përfundimtare dhe se sistemi duhet të nisë zbatimin më 12 tetor.

“Jemi në fazën përfundimtare me rregullimin e qendrës komanduese në SVR Ohër, e cila është e domosdoshme që të fillojmë me zbatimin praktik të ‘Qytet i sigurt’. Në parim u dakorduam me drejtuesit që të jemi të gatshëm sistemi të nisë zbatimin më 12 tetor në të gjithë territorin e SVR Ohër. Kjo do të thotë se ‘Qytet i sigurt’ e zgjerojmë edhe në zonat e Ohrit, Strugës, Kërçovës dhe Dibrit. Në dy javët e ardhshme duhet të përfundojmë aktivitetet e mbetura që ky sistem inteligjent ta vëmë plotësisht në funksion”, theksoi ministri Toshkovski.

Gjatë vizitës u diskutua edhe për gjendjet dhe rezultatet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe shpërndarjes së drogës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për aktivitetet për përmirësimin e sigurisë në komunikacion.

Në vizitën në Qendrën Rajonale për Punë Kufitare Perëndim, ministri informoi edhe për një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin me FRONTEX. U dakordua që aktivitetet që deri më tani zhvillohen në kufirin jugor të zgjerohen edhe drejt kufirit perëndimor, me ç’rast fillimi i aktiviteteve të përbashkëta pritet në fillim të vitit të ardhshëm.

“Për herë të parë është dakorduar që FRONTEX, në kuadër të bashkëpunimit që kemi me Bashkimin Evropian, aktivitetet e veta t’i drejtojë edhe drejt kufirit perëndimor, e jo vetëm drejt atij jugor si deri më tani. Presim që aktivitetet e përbashkëta të fillojnë në fillim të vitit të ardhshëm, me ç’rast do të sigurojmë kapacitete shtesë dhe kontroll më të mirë të kufirit perëndimor, para së gjithash drejt Republikës së Shqipërisë”, potencoi Toshkovski.

Ministri theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me aktivitete për modernizimin e punës policore, forcimin e sigurisë kufitare dhe avancimin e kapaciteteve të shërbimeve policore, me qëllim përballimin më efikas të sfidave të sigurisë dhe siguri më të madhe për qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër