Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se bujqësia inteligjente mbetet fushë sfiduese që do ta ndihmojë vendin drejt arritjes së objektivit për 1 miliard euro eksporte.
Kryeministri Rama mori pjesë sot në edicionin e dytë të MatchMaker Albania, platforma e biznesit që bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase dhe ndërkombëtare, me mbi 1000 pjesëmarrës dhe më shumë se 400 takime të planifikuara.
Në fjalën e tij, Rama veçoi si shtyllë të zhvillimit ekonomik të vendit, bujqësinë inteligjente.
“Bujqësia inteligjente shfaqet e duket ende si një fushë sfiduese, por ku po ndodhin shumë gjëra dhe shumë produkte prodhuar në Shqipëri po zhvillohen me shpejtësi mjaft të madhe”, tha kryeministri.
Sipas tij, prodhimet shqiptare tanimë mbërrijnë në tryezat e rreth 100 vendeve në mbarë botën.
“Ne besojnë fort se objektivi ynë për t’i çuar eksportet e këtij vendi të vogël në 1 miliard euro është brenda mundësisë sonë”, shtoi ai.
Një shtyllë tjetër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit, sipas kryeministrit është ajo që ka të bëjë me horizontet digjitale, teknologjinë, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe ekonominë digjitale.
“Jemi shumë krenarë që jemi vendi i parë që i ka lënë hapësirë edhe në qeveri një ministreje për Inteligjencën Artificiale. Jemi mjaft të vetëdijshëm që digjitalizimi për ne përfaqëson bekim, si për shumë vende që janë në zhvillim, sepse është një mundësi unike për të kapërcyer para dhe për të mbyllur brenda një kohe shumë të shkurtër hendeqe historike që nuk do të mund të mbylleshin në afatin kohor të një brezi apo dy”, shtoi Rama.
