Tiranë, 03 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama në edicionin e tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane u ndal edhe tek protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër investimit në Zvërnec, duke theksuar se ato përmbajnë shqetësime reale të qytetarëve që duhen dëgjuar dhe kuptuar.
Rama tha se “duke qenë se jemi në një moment specifik intensiv të rrugëtimit tonë si shoqëri që solli një epsiod nga shumë episode që ne po mbledhim për të lexuar si duhet protestën e bulevardit në atë pjesë të saj që ajo protestë ka rëndësinë e vet themelore që është zëri dhe janë shqetësimet reale të qytetarëve”.
“Ajo që unë e quaj ujë i pastër dhe i rrjedhshëm i protestës nën atë koren e zezë të asaj që për fat të keq është pjesa e zhurmshme dhe e dukshme, ku janë mbledhur gjithë dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë. Në atë rrjedhë të madhe njerëzish ka shumë për të mësuar”, tha Rama.
Kryeministri Rama tregoi rastin e nënës së një mikut të tij, e cila kishte dalë në protestë pasi ndihej e fyer dhe e poshtëruar nga sjellja e administratës shtetërore.
Rama tha se ky episod tregon thelbin e zemërimit të shumë qytetarëve, të cilët shpesh përballen me mungesë njerzillëku nga punonjësit publikë.
“Nëna e një shokut tim kishte dalë në protestë dhe i biri ishte alarmuar kur i thanë, sepse ajo është në një moshë të caktuar. Ishte kthyer në shtëpi dhe e kishte pyetur të ëmën në protestë dhe ajo i tregon thelbin e zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Për një arsye apo një tjetër të natyrës shëndetësore asaj i duhet të shkojë në mënyrë periodike në poliklinikë dhe duke qenë si ajo ka edhe tjetër që e dinë praktikën e mjekut që duhet të kujdeset për ta. Njerëzit shkojnë atje që në orën 5 ose 6 të mëngjesit. Nëse presin që mjeku të vijë dhe shpresojnë të parët në radhë të kenë mundësinë që ai ti shikojë sepse mjeku e para nuk vjen në orar, vjen gjithmonë 1 ose 2 orë më mbrapa.E dyta mjeku nuk nuk rri deri në fund të orarit pasi trajton tre, katër, ikën dhe kjo grua në moshë del në protestë sepse është e fyer. Ky është një poshtërim dhe ndjenja e poshtërimit nga shteti yt dhe nga njerëzit që paguhen për të të shërbyer ty, është një ndjenjë që të bën të kuptosh që është kulmi”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “njerëzit nuk ndjehen të fyer e të poshtëruar jo vetëm sepse nuk zgjidhin dot një hall. Por përtej faktit që e zgjidh apo nuk e zgjidh, ai mjeku është i detyruar që atij njeriu të sëmurë t’i ofrojë gjithë komoditetin që vjen nga njerzillëku”.
