Tiranë, 4 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama uroi sot kryeministren Giorgia Meloni, në një ditë historike për qeverinë italiane, e cila, pas 1 413 ditësh në detyrë, bëhet qeveria më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane.
Përmes një videomesazhi në rrjetin social X, Rama vlerësoi kontributin e qeverisë italiane nën drejtimin e Melonit në çështjet e sigurisë dhe emigracionit ilegal.
“Në vend që të marshoje mbi trupin e Evropës, siç trembeshin, e përqafove Evropën dhe madje e ndihmove të kuptojë më mirë disa gjëra: në çështjet e sigurisë, emigracionit ilegal natyrisht”, u shpreh Rama.
Më poshtë mesazhi i urimit i kryeministrit Rama:
Giorgia, po lexoj se nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Po me të vërtetë? Qenkam mësuar keq unë duke ndërruar bashkëbisedues në Romë pothuajse me ritmin e ndërrimit të trajnerëve të Milanit.
E megjithatë, shiko sa gjë e çuditshme, demokracia italiane nuk duket aspak në rrezik, pavarësisht gjithçkaje që sidomos ne të majtët kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi me pantallona të zeza.
Më kujtohet madje se edhe Ursula në atë kohë u shqetësua jo pak. Sot ndërkohë edhe ajo do të jetë shumë e lumtur për këtë rekord tëndin. Sepse në vend që të marshoje mbi trupin e Evropës, siç trembeshin, e përqafove Evropën dhe madje e ndihmove të kuptojë më mirë disa gjëra: në çështjet e sigurisë, emigracionit ilegal natyrisht.
Por gjithsesi duhet t’i thuash të gjitha: që kur je ti ka një deficit demokratik të madh në Itali: i nxore burrat jashtë luftës për pushtet, e cila tashmë është bërë një punë mes me zonjash, ekskluzivisht mes zonjash.
Çfarë të të them më shume e dashur Giorgia, tani është një tjetër rekord për t’u thyer, imi! Dhe mjerë ata që më thonë se Italia nuk është në Ballkan, eh, sepse jemi gjithmonë prapa Gjermanisë, ku një tjetër zonjë e shkëlqyer ka qeverisur edhe më gjatë se unë.
Rroftë Italia, rrofshin gratë italiane dhe shqiptare.”
