Ylli i Barcelonës, Raphinha, ka shkaktuar mjaft reagime në komunitetin sportiv me deklaratën e tij të fundit, tejet të ashpër, e cila erdhi pas humbjes 2-1 në udhëtim ndaj Girona mbrëmë.
Sulmuesi brazilian kritikoi publikisht mospërputhjen në zbatimin e rregullave, duke theksuar se kriteret shpesh varen nga fakti nëse ato i sjellin dobi apo dëm klubit të tij.
I indinjuar dukshëm nga trajtimi që, sipas tij, po marrin gjigantët katalanas në fushë, ai paralajmëroi se skuadra nuk do të tërhiqet më para autoriteteve.
“Nëse na duhet të luajmë kundër të gjithëve, s’ka problem. Do ta bëjmë. Po, kemi shumë për të përmirësuar, por jo vetëm ne. Është e komplikuar kur rregullat janë të ndryshme, në varësi të faktit nëse ato janë në favorin tënd apo kundër teje”.

“Por nëse na duhet të luajmë kundër të gjithëve për të fituar, s’ka problem. Mos harroni, do ta bëjmë”, tha Raphinha.
Në një lloj “deklarate lufte” ndaj rivalëve, ai theksoi se brenda dhomës së zhveshjes janë të gatshëm ta pranojnë rolin e ekipit kundër të cilit të gjithë të tjerët janë rreshtuar.
Fjalët e tij jehuan si një mesazh i fortë motivues për tifozët, por edhe si një paralajmërim i drejtpërdrejtë për organizatën e gjyqtarëve.
