Raporti i PE-së për Sazanin dhe Zvërnecin, PD jep tjetër variant për rezolutën: Europa mbështet protestuesit për zonat e mbrojtura

Nga Xh M
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 qershor Zhurnal.mk – Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi raportin e Parlamentit Europian, ka reaguar kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili e ka interpretuar qëndrimin e eurodeputetëve si mbështetje për kërkesat e protestuesve kundër ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Sipas Bardhit, Parlamenti Europian ka mbajtur një qëndrim të unifikuar me qytetarët shqiptarë që kanë protestuar ditët e fundit, duke kërkuar shfuqizimin e dispozitave të ligjit për zonat e mbrojtura dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.

Ai thekson se amendamenti i miratuar në raportin për Shqipërinë ngre shqetësime serioze për zhvillimet në zonën e Vjosë-Nartës, si dhe për ndikimin që ndryshimet ligjore mund të kenë në ekosistemet e mbrojtura.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Parlamenti Evropian flet me një zë të unifikuar me qytetarët shqiptarë që protestojnë prej ditësh: të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27.

Por Edi Rama, që duket se ka humbur edhe sensin e të kuptuarit, bën sikur nuk di të lexojë.

Amendamenti shtesë i miratuar sot nga Parlamenti Evropian në Raportin për Shqipërinë:

* shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlera të njohura ekologjike;

* shpreh se po ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim;

* u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; dhe

* thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.

Tani Edi Rama ka vetëm një detyrë: të dëgjojë zërin e eurodeputetëve dhe të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Projektligji është depozituar prej nesh në Kuvend prej një muaji dhe pret votën e deputetëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër