Reformat në arsim më të suksesshme, barazia gjinore fusha më e dobët e reformave

Nga D. V.
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 qershor, Zhurnal.mk – Qeveria arrin rezultatet më të mira aty ku ekzistojnë ligje të qarta, mbështetje buxhetore dhe indikatorë të matshëm, si në arsim. Përkundrazi, ngecja më e madhe është në fushat me reforma strukturore të ndërlikuara, si barazia gjinore, politikat sociale dhe pjesë të sistemit shëndetësor, tregojnë të dhënat nga korniza e përmirësuar e monitorimit KOMPAS, e cila ndjek sistematikisht realizimin e premtimeve qeveritare për periudhën 2024–2028, e përgatitur nga “Finance Think” në partneritet me Qendrën Maqedonase për Arsim Qytetar, Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë – Shoqatë për bashkëpunim ndërsektorial dhe Forumin Rinor Arsimor.

Platforma ndjek 142 premtime të shpërndara në pesë fusha: ekonomi dhe politika sociale, arsim, shëndetësi, të rinj dhe barazi gjinore.

– Pothuajse gjysma e premtimeve (48 %) kanë njëfarë përparimi – 18 % janë realizuar plotësisht, ndërsa 30 % janë në proces realizimi. Megjithatë, 39 % ende nuk tregojnë përparim, 6 % lëvizin në drejtim të kundërt, ndërsa 7 % nuk kanë të dhëna të mjaftueshme për vlerësim. Dobësia më e madhe në nivel të përgjithshëm është pabarazia e thellë mes sektorëve – nga rezultate të forta në arsim deri te stagnimi pothuajse i plotë në barazinë gjinore.

Arsimi është lider i qartë me 32 % premtime të realizuara plotësisht dhe 58 % në proces realizimi. Përparimi nxitet nga financimi i qëndrueshëm, korniza ligjore funksionale dhe indikatorët e qartë. Rezultatet më të dukshme janë arritur në zgjerimin e arsimit dual (rritje nga 560 në 875 kompani), rritjen e përfshirjes dhe mbështetjes për nxënësit me aftësi të kufizuara, investimet e rëndësishme infrastrukturore në shkolla dhe konvikte studentore. Megjithë përparimin, reforma e arsimit të lartë mbetet e bllokuar, ndërsa financimi për shkencën vazhdon të jetë larg objektivit prej 1 % të PBB-së.

Sektori shëndetësor shënon rezultate të moderuara, kryesisht në stabilizimin e kuadrit dhe përmirësimin e aksesit në shërbime. Ka përparim në punësimin e punonjësve shëndetësorë me kontrata pune, rritjen e pikës kapitacionale për mjekët amë, zgjerimin e listës pozitive të barnave, si dhe përmirësimin e kushteve për procedurat in vitro. Megjithatë, reformat sistemike si digjitalizimi, ulja e listave të pritjes dhe riorganizimi i sistemit spitalor mbeten në ngecje.

Në politikat për të rinjtë ka lëvizje institucionale, si futja e vauçerëve për studentët dhe aktivizimi i programit “Bli shtëpi për të rinjtë”. Megjithatë, problemet strukturore mbeten, pasi vazhdon rënia e punësimit të të rinjve, mungesa e trajnimit për aftësi digjitale në vitin 2025, numri i pamjaftueshëm i qendrave rinore (14 nga 42 të planifikuara), si dhe mosrealizimi i masave kyçe si orari i shkurtuar i punës për studentët.

Barazia gjinore mbetet fusha më e dobët, pa asnjë premtim të realizuar ose të nisur për të dytin vit radhazi. Kjo përfaqëson ngecjen institucionale më të theksuar në gjithë monitorimin.

Edhe pse indikatorët makroekonomikë tregojnë stabilitet (rritje e PBB-së, ulje e papunësisë, sektor bankar stabil), politikat socioekonomike mbeten dukshëm prapa. Fushat problematike janë: inflacion mbi nivelin e synuar (4,1 %), rënie e investimeve të huaja, rritje e ekonomisë gri, zbatim i ngadalshëm i formalizimit të punës.

Për më tepër, politikat sociale dhe investimet kapitale vazhdimisht mbeten prapa objektivave të planifikuara, ndërsa një pjesë e premtimeve, veçanërisht për sektorin e IT-së dhe freelancerët, mbeten të parealizuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër