Rënie drastike e numrit të nxënësve në Strugë

Nga Xh M
779 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Strugë, 27 qershor Zhurnal.mk – Struga shënon rënie alarmante të numrit të nxënësve në vitet e fundit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë dy dekadave numri i tyre është ulur për 3000 nxënës. Vendbanimet rurale të Strugës, dikur të mbushura me fëmijë, sot janë pothuajse të zbrazëta. Jo vetëm që numri i nxënësve të klasës së parë po ulet vazhdimisht, por çdo vit bie edhe numri i paraleleve në klasat më të larta. Nga ana tjetër numri i mësimdhënësve dhe stafit tjetër të sapo punësuar po rritet.

“Në periudhë prej 20 vitesh, Struga ka mbi 3000 nxënës më pak. Ndërsa në periudhë prej 5 vitesh, numri është ulur për rreth 500 fëmijë. Megjithatë, këtu është paraqitur një dukuri interesante. Nga analizat që kemi bërë rezultoi se, edhe pse numri i nxënësve është zvogëluar, numri i të punësuarve është rritur. Këtë e shpjegova shkurt edhe më parë. Pra, ekzistojnë dy arsye: së pari, niveli më i ulët i natalitetit dhe së dyti, migrimi”, deklaroi Xhemi Hajredini – udhëheqës i Sektorit për Arsim.

Për shkak të kësaj situate, autoritetet lokale në Strugë propozojnë mbylljen e shkollave fillore në zonat rurale, si dhe zvogëlimin e numrit të paraleleve. Edhe kryetari i komunës, Mendi Qyra, e mbështet idenë, për të cilën thotë se do të jetë e pashmangshme, por se nuk do të ketë largime të mësimdhënësve nga puna.

“Do të bëjmë racionalizim sepse kjo është kërkuar nga Ministria e Arsimit. Kjo realizohet në koordinim me Ministrinë e Arsimit. Ne si komunë kemi ndërmarrë masa sepse kemi paralele me nga një nxënës, ku për një nxënës ka deri në 30 mësimdhënës. Kjo nuk është vetëm barrë financiare, por edhe mungesë e socializimit te nxënësit. Sigurisht që nuk ka efikasitet në procesin mësimor dhe këtu duhet të bëhet racionalizim..”, tha Mendi Qyra – kryetar i Komunës së Strugës.

Qyra thotë se edhe Ministria e Arsimit dhe UNICEF-i kanë insistuar që ky racionalizim i shkollave të zbatohet. Plani i komunës së Strugës, siç ka raportuar më herët Alsat, parashikon që nga shtatori të mbyllen ose të vendosen në pushim 8 shkolla fillore rajonale, ndërsa nxënësit të vazhdojnë mësimin në shkollën më të afërt. Më pas parashihet edhe mbyllja e 4 shkollave fillore qendrore në fshatrat Jabllanicë, Drsllajcë, Tatesh dhe Podgorcë, si dhe bashkimi i tyre me shkolla të tjera. Që propozimi të realizohet, duhet të marrë dritën jeshile nga Këshilli i Komunës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër