Sala në asamblenë e OBSH-së: Shqipëria forcon angazhimin për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve

Nga D. V.
390 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 maj, Zhurnal.mk – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, po merr pjesë në sesionin e 79-të të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, eventet e së cilës nisën me diskutimet për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online dhe ndikimi i dhunës digjitale.

Në memorialin kushtuar fëmijëve të humbur si pasojë e dhunës digjitale, nismë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë  me pjesëmarrjen e dukeshës së Sussex Meghan Markle, event që çeli javën e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, ministrja Sala rikonfirmoi angazhimin e fortë të Shqipërisë për vendosjen e fëmijëve në qendër të politikave dhe reformave sociale.

“Jemi ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor që kemi miratuar një Plan Kombëtar Veprimi për Garancinë Evropiane për Fëmijët, me një fokus të qartë: parandalimin, përfshirjen dhe moslënien e asnjë fëmije pas. Dhënia fund e dhunës ndaj fëmijëve nuk mund të mbetet vetëm një deklaratë vullneti; ajo kërkon guxim politik dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, nënvizoi ministrja Sala.

Gjithashtu, Shqipëria është pjesë e Këshillit të Kampionëve të OBSH, një hap i rëndësishëm në një kohë kur dhuna ndaj fëmijëve po konsiderohet gjithnjë e më shumë një sfidë e shëndetit publik, e të drejtave të njeriut dhe e zhvillimit.

Gjatë eventit të nivelit të lartë të organizuar nga Komisioni Pan- Europian për Klimën dhe Shëndetësinë i OBSH-së, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale theksoi ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike në sistemet shëndetësore, shëndetin mendor dhe mirëqenien, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë, ndërsa prezantoi prioritetet e Planit Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036.

“Për Shqipërinë, ky është një prioritet i qartë kombëtar. Ne po zbatojmë Planin Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036, i cili e vendos shëndetin në qendër të përpjekjeve për përshtatje. Prioritetet tona përfshijnë: forcimin e gatishmërisë dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm; fuqizimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe rezistencës së komuniteteve; investimin në fuqinë punëtore shëndetësore; mbrojtjen e popullatave vulnerabël; si edhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional për klimën dhe shëndetin”, u shpreh ministrja Sala.

Ministrja Sala theksoi se rekomandimet e Komisionit Pan- Europian për Klimën dhe Shëndetin përbëjnë një hap të rëndësishëm, veçanërisht përsa i takon forcimit të sistemeve shëndetësore rezistente ndaj klimës, integrimit të shëndetit mendor, rritjes së koordinimit politik dhe mbështetjes së zgjidhjeve të bazuara në komunitet.

Sesioni i 79-të i Asamblesë Botërore të Shëndetësisë do të sjellë në vëmendje sfidat kryesore globale në fushën e shëndetësisë, duke u fokusuar te reformimi i qeverisjes shëndetësore globale, përgatitja dhe reagimi ndaj pandemive, financimi i qëndrueshëm i OBSH dhe forcimi i sistemeve shëndetësore. Në qendër të diskutimeve do të jenë gjithashtu shëndeti digjital, inteligjenca artificiale, sëmundjet jo të transmetueshme, shëndeti mendor, efektet e ndryshimeve klimatike në shëndet, si edhe menaxhimi i krizave humanitare me ndikim gjeopolitik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër