Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka kritikuar ashpër drejtimin aktual të PD-së, duke e cilësuar pa strategji dhe pa rregulla loje të qarta. Në studion e emisionit “Trialog” në RTSH, ai tha se mungesa e meritokracisë dhe paqartësia e lidershipit kanë bërë që PD të mos jetë në nivelin e duhur.
Salianji theksoi se lëvizja e tij ka bashkuar shumë demokratë në qarqe të ndryshme të vendit, përfshirë figura të votuara në primare, por të lëna jashtë listave pa arsye.
Ai u shpreh se sallat ku ka zhvilluar takime kanë qenë më të mëdha dhe më të mbushura sesa ato të kryetarit të partisë, Sali Berishës, duke reflektuar, sipas tij, pakënaqësinë e thellë brenda strukturave të PD.
“Është një lëvizje për ta bërë PD fituese dhe për të thënë disa të vërteta. PD, kështu siç është, me këtë mungesë rregullash loje, pa meritokraci, me një paqartësi strategjike të lidershipit të partisë, e ka bërë PD të jetë një parti jo në nivelin e duhur. Kjo lëvizje, që ka bashkuar shumë demokratë në të gjithë qarqet e Shqipërisë, kanë qenë njerëzit më të votuar në listat e hapura, më të votuar në primare që u lanë jashtë listave pa arsye. Sallat kanë qenë më të mëdha dhe më plot sesa takimet që ka zhvilluar kryetari i partisë. Ata janë demokratë, janë pjesë e strukturës së PD dhe pjesa tjetër janë anëtarë të PD, nuk janë takime me qytetarë. Janë njerëz që kanë sakrifikuar për PD dhe kanë ndjeshmëri për situatën ku ndodhet PD. Pakënaqësia është aq e madhe dhe gabimet e lidershipit të partisë ka bërë që sallat të jenë plot. Mos ndryshimi dhe rezistenca për ta ndryshuar dhe për ta bërë PD një parti siç e kërkon shoqëria dhe demokratët, ka bërë që sallat të jenë plot”, tha ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji.
