Stamboll, 10 tetor – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, gjatë qëndrimit të tij në Turqi, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Lidhjes së Rinisë Shqiptare me seli në Stamboll, ku është diskutuar për avancimin e të rinjve shqiptarë, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet të rinjve nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia, përcjell Zhurnal.mk.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për afirmimin dhe përfshirjen më të madhe të të rinjve në institucionet shtetërore, si dhe krijimit të hapësirave të reja për bashkëpunim.
Gjatë bisedës, Shasivari theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe vlerave kombëtare, duke nënvizuar rolin e të rinjve si bartës të së ardhmes dhe si faktor i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve, pavarësisht kufijve shtetërorë.
Takimi synon të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit dhe krijimin e mundësive të reja për përfshirjen aktive të të rinjve shqiptarë në jetën shoqërore dhe institucionale, si dhe në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar.
