Tiranë, 4 gusht, Zhurnal.mk – Departamenti i Shtetit njofton zyrtarisht ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarë në Kuadër të Programit Foreign Military Financing (FMF) i cili synon mbështetjen e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe forcimin e bashkëpunimit strategjik me SHBA-në në fushën e sigurisë.
DASH thekson në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare se kjo marrëveshje do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur Angazhimin e Mbrojtjes së Hagës, që parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Gjithashtu DASH, shton se kredia do të ndihmojë për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes blerjes së kapaciteteve kryesore me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, si dhe për forcimin e aftësive mbrojtëse të Evropës.
“Si aleate e NATO-s, Shqipëria është lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje kritike të politikës së jashtme, duke përfshirë edhe rolin e anëtares themeluese të Bordit të Paqes të Presidentit Trump”, nënvizohet në njoftimin zyrtar të DASH.
Lidhur më këtë ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi duke konsideruar zyrtarizimin e ratifikimit të marrëveshjes si “votë besimi strategjike e SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në modernizimin e mbrojtjes shqiptare”.
“Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë, rajonin e më gjerë. Kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve tona ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës”, deklaron ministri Nufi.
Marrëveshja me SHBA-të është dekretuar më 30 korrik nga presidenti Bajram Begaj i cili ka dhënë gjithashtu pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij ligji.
