Shkup, 5 shtator Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se të dhënat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë për lëvizje pozitive në tregtinë e jashtme. Sipas tij, eksporti po rritet më shpejt se importi, ndërsa deficiti tregtar po zvogëlohet. Mickoski tha se veçanërisht inkurajuese janë të dhënat për korrikun, ku rezultatet janë mbi pritshmëritë, veçanërisht sa i përket eksportit, ndërsa rritja e importit, sipas tij, kryesisht vjen si pasojë e çmimeve të larta të naftës dhe derivateve të saj në tregjet botërore. Të gjitha këto sipas Mickoskit, janë tregues dhe dëshmi shtesë për përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend.
“Për herë të parë pas një periudhe të gjatë, kemi një situatë në të cilën eksporti rritet më shpejt se importi. Në këtë mënyrë, gjatë shtatë muajve të parë të vitit po zvogëlohet deficiti tregtar, ndërsa kjo është veçanërisht e theksuar në korrik, i cili është muaji i parë i tremujorit të tretë. Rezultatet për korrikun janë mbi pritshmëritë, veçanërisht sa i përket eksportit, ndërsa rritja e importit është kryesisht pasojë e çmimeve të larta të naftës dhe derivateve të naftës në tregjet botërore. Nëse kjo pjesë e tregut do të stabilizohej, dallimi do të ishte edhe më i madh, ndërsa deficiti tregtar edhe më i vogël.”, u shpreh kryeministri Hristijan Micksoki.
Koçoska: Investimet rriten me 16,5 për qind
Në të njëjtin qëndrim është edhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. Ajo thotë se trendi i rritjes ekonomike konfirmon se kjo Qeveri është në rrugën e duhur për të arritur rezultate edhe më të mëdha, nëse vazhdohet me të njëjtën dinamikë ekonomike.
“Politikat ekonomike edhe në periudhën në vijim do të kahëzohen drejt investimeve, projekteve kapitale, mbështetjes për sektorin privat dhe menaxhimit përgjegjës me financat publike. Të dhënat për strukturën e BPV-së tregojnë se rritja ka bazë të gjerë. Investimet bruto në tremujorin e dytë u rritën me 16,5 për qind, eksportet e mallrave dhe shërbimeve me 10,4, ndërsa ndërtimi shënoi rritje prej 21,9 për qind. Zhvillime pozitive u regjistruan gjithashtu në industrinë përpunuese, tregti, transport dhe hoteleri, dhe rritja u mbështet edhe nga konsumi i brendshëm.”, thuhet në postimin e saj të fundit në Facebook.
LSDM: Mickoski po e rrit borxhin
Por kështu nuk mendojnë socialdemokratët. Nga LSDM-ja thonë se sa herë që kryeministri lavdërohet për arritje ekonomike, pas tyre fshihet e kundërta. Ata akuzojnë Mickoskin se po e çon vendin drejt një borxhi të ri prej 12 miliardë eurosh.
“Sot i demaskojmë të gjitha gënjeshtrat e Mickoskit. Nëse huamarrja prej 1.3 miliardë eurosh është për vitin 2027, siç thotë Mickoski, pse Qeveria nxitoi të vendoste për të pesë muaj më herët? Dhe, më e rëndësishmja, pse këtë vendim nuk ia komunikuan publikut, por e fshehën? Përgjigjja është e thjeshtë, nuk ka para. Arka është bosh. Qeveria nuk mund ta përmbyllë as këtë vit fiskal pa borxhe të reja. Deklarata e Mickoskit se borxhi prej 350 milionë eurosh i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore nuk hyn në borxhin publik është gënjeshtër e pastër, një përpjekje e dëshpëruar për t’i shpëtuar përgjegjësisë për shkeljen e ligjit.”, u shpreh Simona Cvetanovski nga LSDM.
Ditë më parë, Enti Shtetëror i Statistikës njoftoi se vlera totale e eksportit të mallrave nga Maqedonia e Veriut, në periudhën janar–korrik 2026, arriti në 5.102,9 milionë euro, që paraqet rritje prej 8,4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vlera e mallrave të importuara arriti në 7.199,3 milionë euro, ose 7,8 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
