Shkup, 9 Mars, Zhurnal.mk – 40 vjeçarja me prejardhje nga Tetova, Rixhil Agus(h)i ka fituar ulëse në Këshillin Komunal në komunën e 20 000 banorëshe të Schlieren të Kantonit të Zurich-ut në Zvicër.
Kandidatja e Partisë Socialdemokrate (SP) është e para shqiptare që do të zë ulëse në Këshillin e Komunës, pas disa vitesh përvoje në asamblenë e komunës.
Përgjatë fushatës ajo ka premtuar se do të angazhohet për shkolla të mira me mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët; rrugë të sigurta për në shkollë dhe lagje të gjalla; arsim të besueshëm për fëmijërinë e hershme dhe kujdes plotësues për fëmijët; më shumë vende takimi dhe hapësira tërheqëse të gjelbra; ekonomi e fortë lokale; një plan të rishikuar zonimi për dendësim me cilësi jetese; mbrojtje të klimës dhe mjedisit.
Agus(h)i e lindur në Zvicër, është e martuar e nënë e dy fëmijëve.
Schlieren është një komunë në rrethin Dietikon në kantonin e Cyrihut dhe ka një popullsi (që nga viti 2022) prej 20,350 banorësh, nga të cilët 45.9% (9,324 persona) janë shtetas të huaj, që shifra më e lartë e të huajve nga të gjitha komunat në kantonin e Cyrihut.
