Shtylla e dytë pensionale në debat: Çfarë do të ndodhë me kursimet e qytetarëve?

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 nëntor Zhurnal.mk – A mund të ndryshojë shteti fatin e kursimeve tuaja pensionale pa ju pyetur fare? Kjo është një nga dilemat që pas paralajmërimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski se mund të ketë ndryshime në sistemin pensional, për çfarë kanë kundërshtuar kompanitë pensionale private. Por, pyetja kryesore mbetet: ku mbesin paratë që qytetarët kanë grumbulluar ndër vite dhe si garantohet siguria e tyre? Për këtë çështje, kryetari i Shoqatës për Administrimin e Fondeve Pensionale, Marijan Nikollovski, thotë se nuk beson që shteti do të ndërmarrë ndryshime që do të ishin në dëm të qytetarëve, por kundërshton çdo skenar të transferimit të mjeteve nga shtylla e dytë në fondin shtetëror.

“Sigurisht, në këtë moment konsideroj se nuk po mendohet në këtë drejtim, pasi ndryshimet ligjore të parashikuara, të cilat aktualisht ndodhen në Kuvend, kanë të bëjnë me zhvillimin e mëtejshëm të shtyllës së dytë dhe të shtyllës së tretë të sigurimit pensional me financim kapital. Pra, do të thoja se miratimi i ligjeve bëhet gjithmonë duke pasur në fokus interesat e të siguruarve dhe duke u kujdesur që të mos cenohen të drejtat e tyre.”, – deklaroi kryetari i ADPF-së, Marijan Nikollovski.

Sipas Nikollovskit, kursimet në llogaritë individuale përbëjnë pronë personale të të siguruarve dhe duhet të ruhen bashkë me të drejtën e trashëgimisë. Megjithatë, vendimi për ndryshimin e kornizës ligjore është në kompetencë të Kuvendit, i cili mund të miratojë ndryshime ligjore, por çdo ndërhyrje në pronësinë e mjeteve duhet të jetë në përputhje me garancitë kushtetuese. Thekson se qëllimi përfundimtar duhet të jetë sigurimi i të ardhurave sa më të mira për moshën e pleqërisë.

“Do të doja të theksoja se shtylla e parë dhe shtylla e dytë nuk janë krijuar për të konkurruar me njëra-tjetrën, në mënyrë që të zgjidhet njëra apo tjetra, por ato janë komplementare dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Shtylla e parë funksionon mbi bazën e parimit të solidaritetit ndërmjet gjeneratave, që do të thotë se ne, të cilët aktualisht jemi të siguruar, paguajmë kontribute për të mundësuar pagesën e pensioneve të pensionistëve aktualë. Ndërsa në shtyllën e dytë, mjetet nuk përdoren për pagesa të menjëhershme, por akumulohen në llogarinë personale të secilit të siguruar.”, – theksoi kryetari i ADPF-së, Marijan Nikollovski.

Por, për qytetarët, shqetësimi nuk lidhet vetëm me atë se cili model do të zbatohet në të ardhmen. Në llogaritë individuale tashmë janë grumbulluar mjete nga kontributet pensionale. Prandaj, çdo ndryshim i mundshëm ngre edhe çështjen se çfarë do të ndodhë me këto kursime, nëse do të ruhen si pronë personale dhe nëse mund të transferohen në Fondin Shtetëror pa pëlqimin individual të anëtarëve. Sipas dispozitave ligjore në fuqi transferimi nuk mund të bëhet thjesht me një vendim të Qeverisë, por do të kërkonte bazë të re ligjore dhe shqyrtim të përputhshmërisë së saj me të drejtën e pronës. Megjithëse për momentin, bëhet fjalë për diskutime dhe mundësi reformimi, jo për një vendim përfundimtar në qendër të debatit mbetet pyetja se si të sigurohet që kontributet e paguara sot të përkthehen në një pension të qëndrueshëm nesër.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër