Ankara, 13 nëntor Zhurnal.mk – Kryetari i komunës së Çairit Izet Mexhiti, gjatë vizitës zyrtare në Turqi ka zhvilluar një takim në Ankara me zëvendësministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Nadir Alparslan, ku në fokus ishte restaurimi dhe zhvillimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Në takim, Mexhiti ishte i shoqëruar nga ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sylejmani, si dhe përfaqësues të Komunës së Çairit. Pjesë e delegacionit ishin edhe ish-kryetari i Bursës, Rexhep Alltepe, dhe ish-zëvendëssekretari i këtij qyteti, urbanisti Bajram Vardar.
Gjatë takimit u diskutua për hartimin e një projekti gjithëpërfshirës për restaurimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, si dhe për mundësitë e sigurimit të financimit për realizimin e tij.
Sipas Mexhitit, është arritur dakordim për përgatitjen e një masterplani dhe formimin e një bordi këshillëdhënës, i cili do të koordinojë hapat e mëtejshëm të projektit.
Qëllimi, siç theksohet, është ruajtja e vlerave historike dhe kulturore të Çarshisë, duke e zhvilluar njëkohësisht atë si qendër aktive të zejtarisë, tregtisë dhe turizmit.
https://www.facebook.com/share/p/1FUM7cnEtF/

