Ali Ahmeti pret në Kuvend përfaqësuesit e IRI-së, diskutohet bashkëpunimi dhe mbështetja për BDI-në

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 nëntor Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në Kuvend një delegacion të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen e kësaj organizate për BDI-në.

Në takim morën pjesë drejtori i përgjithshëm i IRI-së për Evropë dhe Euroazi, Steven Nix, si dhe drejtori rezident i programeve të IRI-së për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor, Paul Prososki. Në delegacion ishin edhe zëvendësdrejtoresha e IRI-së për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor, Biljana Ljubiç, dhe përfaqësuesja dhe ekspertja për Maqedoninë e Veriut pranë IRI-së, Ana Alibegova.

Pas takimit, Ahmeti ka vlerësuar bashkëpunimin shumëvjeçar me Institutin Republikan Ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të këtij institucioni për avancimin e organizimit të BDI-së, forcimin e strukturave partiake, zhvillimin e kapaciteteve dhe pasurimin e ofertës programore.

Ai ka theksuar gjithashtu se bashkëpunimi me partnerët amerikanë përbën një kontribut në forcimin e demokracisë, zhvillimin e kulturës politike dhe ndërtimin e kapaciteteve më të avancuara organizative dhe programore të partisë.

Ahmeti ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të IRI-së, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit në zhvillimin e mëtejshëm të BDI-së dhe përgatitjen e saj për sfidat në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër