Sindikata e Pavarur Akademike kritikë të forta ndaj reformës në arsimin e lartë

Nga B.M
350 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 prill, Zhurnal.mk – Sindikata e Pavarur Akademike ka ngritur alarmin lidhur me paketën e re të projektligjeve për arsimin e lartë, duke shprehur shqetësim serioz për drejtimin që po marrin ndryshimet e propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Nga kjo sindikatë theksojnë se një pjesë e madhe e vërejtjeve të tyre janë injoruar, ndërsa zgjidhjet kryesore kanë mbetur të pandryshuara. Sipas tyre, propozimet ligjore rrezikojnë drejtpërdrejt autonominë universitare, pasi parashohin transferimin e kompetencave nga organet e pavarura drejt Ministrisë.

“Një centralizim i tillë mund të hapë rrugë për ndikim politik në menaxhimin, financimin dhe politikat kadrovike të institucioneve të arsimit të lartë”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Pavarur Akademike.

Një tjetër shqetësim lidhet me kushtet e reja për avancim në tituj akademikë, të cilat, sipas sindikatës, nuk i marrin parasysh dallimet mes fushave shkencore. Po ashtu, evidentohet mungesa e një strategjie të qartë për financimin e shkencës, duke nënvizuar se projektligji nuk garanton mbështetje të qëndrueshme financiare, në një kohë kur vendi renditet ndër më të ultët në Evropë për investime në këtë sektor.

Kritika janë adresuar edhe ndaj propozimit për krijimin e një Agjencie të re për sigurimin e cilësisë, ku Ministria do të kishte rol të drejtpërdrejtë. Sipas sindikatës, një strukturë e tillë nuk është në përputhje me standardet evropiane për pavarësi dhe mund të vërë në pikëpyetje objektivitetin e vlerësimit të cilësisë.

Ndër çështjet më problematike përmenden edhe mundësia e ndërhyrjes në statusin e universiteteve pa pëlqimin e tyre, kontrolli mbi shpërndarjen e fondeve dhe ndikimi në proceset e punësimit.

Si zgjidhje, Sindikata e Pavarur Akademike propozon krijimin e një fondi të pavarur për shkencën, i cili do të siguronte financim transparent dhe të qëndrueshëm, si dhe më shumë fleksibilitet në kriteret për avancim akademik.

Në fund, nga sindikata bëjnë thirrje për vazhdimin e debatit publik dhe hapjen e një dialogu të mirëfilltë me komunitetin akademik. Në të kundërtën, paralajmërojnë për rënie të cilësisë në arsimin e lartë, kufizim të lirisë akademike dhe rritje të ndikimit politik në universitete.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër