Skleroza multiple, sëmundja neurologjike që po njeh rritje, Dr.Kuqo: Kërkohet diagnozë e shpejtë dhe qasje multidisplinare

Nga Xh M
344 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 maj Zhurnal.mk – Në Shqipëri rreth 2000 persona vuajnë nga skleroza multiple, një sëmundje që prek trurin dhe palcën kurrizore duke dëmtuar mbështjelljen e fijeve nervore, e cila nëse nuk trajtohet herët të çon në invaliditet.

Sëmundja prek zakonisht moshat e reja, 20–50 vjeç, por sipas neurologut Altin Kuqo vitet e fundit po shihet rritje edhe te dy grupmosha të tjera, të cilat kanë qenë të pazakonta më herët.

“Kemi një rritje të numrit të pacientëve mbi 50 vjeç. Pra, ata që quhen moshë adulte dhe pacientë pediatrikë. Janë dy grupmosha të cilat vite më parë nuk është se pranoheshin që vuanin nga skleroza multiple. Janë kryesisht faktorë gjenetikë, faktorë ambientalë dhe faktorë që kanë të bëjnë me stilin e jetës. Duke filluar që nga veset, duhani, alkooli, jeta më stresante, jeta më aktive, më intensive”, thotë ai.

Shenjave të para jo gjithmonë u jepet rëndësi dhe ndonjëherë keqdiagnostikohen.

“Humbja e shikimit në njërin sy është shumë e rëndësishme. Është një humbje shikimi që nuk është e thënë të jetë e plotë, por mund të jetë edhe e pjesshme, por që zgjat 24 orë minimumi dhe më shumë. Një mpirje e dorës apo e këmbës, e cila zgjat mbi 24 orë, duhet të na shqetësojë dhe duhet të bëjmë vizitë te mjeku. Një vështirësi në ecje, një lodhje, vështirësi në ngjitjen e shkallëve, shikimi dysh, humbja e ekuilibrit janë shenja që vijnë në mënyrë të papritur, janë shenja që zgjasin dhe që kërkojnë medoemos mendimin e specialistit”, thekson mjeku.

Rezonanca magnetike mbetet ekzaminimi kryesor, por shpesh radhëpritja e gjatë në spitalin publik apo kostot në spitalet private bëjnë që diagnoza e hershme të mungojë.

“Varet sa shpejt kapet dhe sa shpejt trajtohet, por në rastet e sëmundjeve aktive, brenda katër–pesë vitesh mund të kemi pacientë që përfundojnë në karrige me rrota. Në qoftë se do të ishte herët dhe aksesi i mirë në ekzaminimet imazherike, diagnoza do të ishte shumë e kollajtë dhe unë jam i parimit: më mirë 10 rezonanca normale sesa një rezonancë e vonuar dhe që nuk të jep rezultatin që ti kërkon dhe pret”, shprehet ai.

Historiku imazherik i sëmundjes është domosdoshmëri për ndjekjen e pacientit, një nevojë që vlerësohet akute.

Mjekë dhe profesionistë të Shoqatës Shqiptare të Sklerozës Multiple dhe Neuroimunologjisë apeluan për diagnozë të shpejtë dhe terapi me qasje multidisiplinare, siç edhe e kërkon kjo lloj sëmundjeje.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër