Shkup, 13 korrik Zhurnal.mk – Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka deklaruar se largimi i ASH-së nga Qeveria ishte një vendim i bazuar në parime, duke theksuar se ruajtja e fjalës së dhënë ishte më e rëndësishme se mbajtja e posteve.
Snopçe bëri të ditur se mesazhin e ka përcjellë nga foltorja e Kuvendit gjatë debatit për zgjedhjen e ministrave të rinj.
“Aleanca për Shqiptarët nuk u sprovua kur ishte në opozitë. U sprovua kur ishte në pushtet, sepse pushteti është sprova më e madhe e karakterit”, u shpreh Snopçe.
Sipas tij, ASH vendosi të largohej nga Qeveria pasi marrëveshja politike nuk po respektohej dhe zotimet ndaj qytetarëve po mbeteshin vetëm premtime.
“Mund t’i ruanim postet. Mund t’i ruanim privilegjet. Por zgjodhëm të ruanim fjalën. Sepse pushteti është vetëm një mjet, jo një qëllim. Kur ai bie ndesh me parimet, duhet të heqësh dorë nga pushteti, jo nga parimet”, deklaroi deputeti i ASH-së.
Snopçe shtoi se zhvillimet e fundit tregojnë se ata që besojnë se mund të ndërtojnë karrierë politike duke sakrifikuar besnikërinë, shpesh përballen me faktin se pushteti njeh vetëm interesa.
“Nuk është arsye për triumf ndaj askujt. Është një mësim për të gjithë ata që merren me politikë. Postet mbarojnë, mandatet përfundojnë, qeveritë ndryshojnë, por fjala e dhënë, besnikëria dhe nderi mbeten”, theksoi ai.
Në përfundim, Snopçe u shpreh se historia nuk i gjykon politikanët sipas funksioneve që kanë mbajtur, por sipas vendimeve që marrin në momentet më të vështira.
“Në politikë, pushteti është i përkohshëm. Karakteri është i vetmi mandat që qytetarët nuk ta japin për katër vjet, por që e fiton dhe e mban për gjithë jetën”, përfundoi Halil Snopçe.
https://www.facebook.com/share/v/1BcRms9qnA/
