SPAK dërgon në gjyq katër të pandehur për pastrim parash përmes tre shoqërive fasadë

Nga D. V.
1,121 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 07 korrik, Zhurnal.mk – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim katër të pandehur Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole, Alvaro Romillo Castillo, Doris Pere, të akuzuar për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të pandehurit kanë krijuar dhe përdorur shoqëritë tregtare “Wingwort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., të regjistruara në Shqipëri gjatë muajit qershor 2024 me kapital minimal, me të njëjtën adresë për të tre shoqëritë, por pa zhvilluar veprimtari reale ekonomike.

“Sipas provave të administruara, këto shoqëri janë përdorur si mekanizma për futjen e fondeve me origjinë të dyshuar kriminale, në qarkullimin dhe integrimin në ekonominë formale. Hetimet kanë evidentuar, transaksione bankare dhe tatimore me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion ekonomik justifikues, si dhe transferta ndërkombëtare me subjekte të huaja, të lidhura me personat e përfshirë në këtë skemë”, njoftoi SPAK.

SPAK sqaron se shoqëria “Wortend” sh.p.k. ka realizuar qarkullime financiare në vlera të larta, të cilat nuk përputhen me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet reale ekonomike të saj. Gjithashtu, janë konstatuar kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj shoqërive të huaja pa dokumentacion justifikues, si dhe blerje të pasurive të paluajtshme dhe automjeteve me vlerë të lartë. Një pjesë e fondeve janë përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, kundrejt vlerës 1,621,200 euro.

Sipas SPAK, nga akti i ekspertimit vlerësues ka rezultuar se vlera e tregut e këtyre pasurive në momentin e shitblerjes ishte më e lartë se vlera e deklaruar në kontratë.

Gjatë hetimit njoftoi SPAK, është administruar informacion i ardhur përmes bashkëpunimit ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës, ku rezulton se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi për vepra penale të mashtrimit.

“Nga analiza e provave, ka rezultuar se i pandehuri Domingo Romillo Iriarte ka pasur rolin drejtues dhe organizues në krijimin dhe funksionimin e skemës, duke administruar shoqëritë tregtare,  duke orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera. Të pandehurit Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kanë marr pjesë në këtë strukturë kriminale përmes rolit të tyre formal në shoqëritë, “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., duke kontribuar në krijimin e pamjes së ligjshme të veprimtarisë ekonomike dhe në qarkullimin e fondeve”, njoftoi SPAK.

Ndërsa e pandehura, Doris Pere dyshohet se ka ndihmuar në funksionimin e skemës duke kryer veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri përfshirë sigurimin dhe përdorimin e adresave për shoqëritë tregtare, si dhe kryerjen e pagesave të ndryshme në emër të tyre.

Mbi pasuritë në pronësi të të pandehurve Domingo Romillo Iriate, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manote është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka çmuar se provat e mbledhura janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të të pandehurve të sipërcituar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër