Zaçaj në mbledhjen e FMN-së dhe BB-së në Lisbonë: Ekonomia, qëndrueshmëri përballë pasigurive globale

Nga D. V.
1,079 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 07 korrik, Zhurnal.mk – Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj, mori pjesë në mbledhjen e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore (BB), zhvilluar në datat 6–7 korrik 2026 në Lisbonë, Portugali.

Gjatë takimit, ku morën pjesë guvernatorë të bankave qendrore, ministra financash dhe përfaqësues të lartë të vendeve anëtare, u diskutuan zhvillimet e ekonomisë globale, sfidat që lidhen me inflacionin, rritjen ekonomike, stabilitetin financiar, si dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në ekonomi dhe në tregun e punës.

Zaçaj bëri të ditur se ekonomia shqiptare ka vijuar të shfaqë qëndrueshmëri përballë pasigurive të mjedisit të jashtëm, ndërsa rritja ekonomike mbetet solide, e mbështetur nga kërkesa e brendshme, turizmi dhe zgjerimi i kreditimit. Ajo theksoi se inflacioni vijon të luhatet pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Zëvendësguvernatorja nënvizoi rolin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar, përmes një politike monetare të kujdesshme, duke theksuar se sektori bankar shqiptar vijon të ketë nivele të larta kapitalizimi, likuiditet të mjaftueshëm dhe kredi me probleme në nivele historikisht të ulëta.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe vijimi i reformave strukturore dhe procesi i integrimit evropian, ku Zaçaj evidentoi rëndësinë e operacionalizimit të transfertave SEPA si një hap drejt integrimit financiar me Bashkimin Evropian.

Sa i përket inteligjencës artificiale, ajo theksoi se kjo teknologji paraqet mundësi për rritjen e efikasitetit, përmirësimin e analizës së të dhënave dhe forcimin e proceseve mbikëqyrëse, ndërsa Banka e Shqipërisë synon ndërtimin e një kuadri të brendshëm për përdorimin e përgjegjshëm dhe të sigurt të saj, në përputhje me standardet e BE-së.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit riafirmuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe koordinimit të politikave ekonomike për përballimin e sfidave globale dhe mbështetjen e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër