Madrid, 8 prill, Zhurnal.mk – Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez mirëpriti sot armëpushimin dyjavor të rënë dakord midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, por paralajmëroi se duhej shumë më tepër punë.
“Armëpushimet janë gjithmonë lajme të mira. Sidomos nëse ato çojnë në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi kryeministri spanjoll në X.
“Por ky lehtësim i çastit nuk mund të na bëjë të harrojmë kaosin, shkatërrimin dhe jetët e humbura”, shtoi ai.
“Qeveria spanjolle nuk do t’i duartrokasë ata që përpiqen të rregullojnë problemin që kanë shkaktuar vetë, duke pritur vlerësime për përpjekjet korrigjuese”, tha Sanchez.
“Ajo që nevojitet tani është diplomacia, e drejta ndërkombëtare dhe paqja”, shtoi ai.
Madridi është një nga kritikët më të zëshëm të Evropës ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Menjëherë pas shpërthimit të luftës më 28 shkurt, Sanchez i ndaloi Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përdorin bazat e tyre ushtarake “Rota” dhe “Morón” për operacione kundër Iranit.
Spanja gjithashtu mbylli hapësirën e saj ajrore për të gjithë avionët e lidhur me luftën.
Më herët, ministri i Jashtëm spanjoll José Manuel Albares tha se armëpushimi kishte sjellë një “ditë shprese”.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, ai bëri thirrje që sulmet izraelite ndaj Libanit të ndaleshin, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu këmbënguli që armëpushimi nuk e përfshinte luftën me Hezbollahun.
“Është e papranueshme që pushtimi i një vendi sovran nga Izraeli, sulmet ndaj forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara – Helmetat Blu, të cilat përfshijnë ushtarë spanjollë që bëjnë një punë të shkëlqyer – dhe bombardimi pa dallim i popullsisë civile në Bejrut të vazhdojnë”, tha Albares.
