Shkup, 19 shtator Zhurnal.mk – Një rast i ri i dhunës mes bashkëmoshatarëve ka ndodhur ditët e fundit në komunën e Gjorçe Petrovit në Shkup, në oborrin e një shkolle gjatë orëve të natës. Në përleshje është lënduar rëndë një i mitur, i cili është sulmuar nga një grup bashkëmoshatarësh në oborrin e një shkolle fillore. Më herët, ata ishin grindur, pas së cilës i mituri është sulmuar nga grupi, ku ndodhej edhe një person i njohur i tij. Në sulm, fëmija, mosha e të cilit nuk është bërë e ditur në informacionin e policisë, ka pësuar lëndime të rënda trupore, njofton policia, duke shtuar se rasti është duke u zbardhur.
Pas serisë së incidenteve, veçanërisht në këtë lagje, policia ka paralajmëruar kontrolle më të mëdha, ndërsa Ministria e Arsimit ka paralajmëruar masa më të rrepta. Megjithatë, pritshmëritë më të mëdha janë nga ndryshimet e reja ligjore, të cilat parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve të dhunshëm. Pra, kur goditet „xhepi“, pritshmëritë se diçka do të ndryshojë bëhen më reale.
Pa telefona në orë mësimore, pa incizime dhe përhapje të dhunës – shkollat i ashpërsojnë rregullat
Që nga fillimi i vitit të ri shkollor, shkollat kanë vendosur rregulla më të rrepta për përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike personale. Me Kodin e ri për përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike personale, të miratuar në disa shkolla fillore, është kufizuar përdorimi i telefonave gjatë mësimit. Pajisjet duhet të jenë të fikura ose të vendosura në heshtje dhe nuk mund të përdoren pa lejen e mësuesit.
Përjashtim bëhet kur telefoni ose pajisja tjetër nevojitet për mësim, kur shërben si mjet ndihmës ose kur ekziston një nevojë e arsyeshme e nxënësit. Në këto raste, mësuesi përcakton qëllimin, kohëzgjatjen dhe mënyrën e përdorimit, thuhet në Kod.
Ndalohet shprehimisht fotografimi dhe incizimi i paautorizuar i nxënësve, mësuesve dhe personave të tjerë, si dhe fotografimi i testeve, dokumentacionit ose të dhënave personale. Ndalohet edhe publikimi ose shpërndarja e përmbajtjeve që cenojnë nderin, reputacionin, dinjitetin ose privatësinë e personave të tjerë.
Në mënyrë të veçantë sanksionohet përdorimi i telefonit për nxitjen, incizimin ose përhapjen e sjelljes së dhunshme, si dhe për dhunën digjitale.
Në këtë mënyrë, shkollat synojnë drejtpërdrejt ta ndërpresin praktikën që bullizmi të vazhdojë përmes incizimeve, grupeve të mesazheve dhe rrjeteve sociale.
Kodi nuk parashikon ndalim absolut të çdo përdorimi të telefonave. Në rast urgjence, nxënësi mund ta përdorë telefonin për të telefonuar prindërit. Janë parashikuar masa në rast se nxënësi nuk i respekton rregullat.
Në shkeljen e parë pason paralajmërimi dhe ndërprerja e përdorimit të palejuar, ndërsa kur është e nevojshme, telefoni mund të hiqet përkohësisht nga përdorimi deri në përfundimin e orës. Nëse shkelja përsëritet, përfshihen kujdestari i klasës dhe shërbimi profesional, ndërsa njoftohet edhe prindi ose kujdestari.
Për rastet më serioze – si incizimi pa leje, dhuna digjitale, rrezikimi i sigurisë ose cenimi i privatësisë – veprohet në përputhje me rregullat e shkollës dhe dispozitat në fuqi. Megjithatë, shkolla nuk guxon të kontrollojë përmbajtjen private të telefonit, përveç nëse për këtë ekziston bazë ligjore dhe procedurë përkatëse.
MPB: Policë në oborret e shkollave dhe përreth objekteve
Paralelisht me masat e shkollave, Ministria e Punëve të Brendshme thotë se parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve e zbaton përmes planeve operative të sektorëve për punë të brendshme.
Sipas Ministrisë, prania e policisë në terren nuk është vetëm reagim pas ndodhjes së një incidenti, por pjesë e veprimit parandalues, diçka që dukshëm mungoi në rastin e fundit në oborrin e shkollës në Gjorçe Petrov.
Policët kanë për detyrë të kryejnë mbikëqyrje të vazhdueshme të oborreve të shkollave dhe hapësirave përreth tyre gjatë ndërrimeve dhe pushimeve të nxënësve, me qëllim parandalimin në kohë të formave të ndryshme të sjelljes devijante.
Nga MPB-ja për gazetën „Veçer“ theksojnë se sektorët kanë detyrim të bashkëpunojnë me shërbimet profesionale në shkolla, të reagojnë shpejt pas denoncimeve për bullizëm ose dhunë dhe të identifikojnë pikat kritike jashtë shkollave ku nevojitet patrullim i shtuar.
„Në pjesën e parandalimit dhe luftimit të dhunës mes bashkëmoshatarëve, sektorët për punë të brendshme veprojnë sipas planeve operative tashmë të përcaktuara dhe të rrepta. Prania e zyrtarëve policorë në terren është zbatim i drejtpërdrejtë i këtyre akteve. Detyra e tyre parësore është mbikëqyrja e vazhdueshme e oborreve të shkollave dhe perimetrit përreth objekteve gjatë ndërrimeve dhe pushimeve të nxënësve, me qëllim parandalimin e çdo forme të sjelljes devijante“, thonë nga MPB-ja për „VEÇER“.
Përforcimi i kontrolleve dhe ndryshimet ligjore u paralajmëruan pas një serie rastesh të dhunës mes bashkëmoshatarëve, të cilat janë incizuar dhe publikuar në rrjetet sociale. Një pjesë e rasteve kanë përfunduar edhe me kallëzime penale dhe procese gjyqësore ndaj të miturve dhe prindërve të tyre.
