Rijeka, 13 nëntor Zhurnal.mk – Stuhia e fuqishme, e shoqëruar me erëra të forta dhe reshje bore, ka shkaktuar kaos në komunikacionin rrugor dhe detar në Kroaci.
Sipas mediave kroate, autostrada A1 është mbyllur për të gjitha automjetet në segmentin ndërmjet nyjeve Sveti Rok dhe Posedarje, për shkak të erërave të fuqishme.
Ndërkohë, në autostradën A6, në drejtim të Rijekës dhe Zagrebit, disa automjete kanë mbetur të bllokuara në borë, duke krijuar kolona të gjata. Disa kamionë pa pajisje të përshtatshme dimërore kanë penguar edhe kalimin e makinave për pastrimin e borës.
Probleme serioze janë regjistruar edhe në zonën e Gorski Kotarit, ku disa rrugë janë bllokuar.
Moti i keq ka ndërprerë gjithashtu një numër të madh linjash tragetesh, katamaranësh dhe anijesh.
Autoritetet kroate u bëjnë thirrje shoferëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të mos qarkullojnë pa pajisje dimërore.

