Shkup, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi ka reaguar lidhur me mekanizmin e Badinterit, duke theksuar rëndësinë e tij në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në procesin e miratimit të ligjeve.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Ademi ka renditur disa parime që, sipas tij, qëndrojnë në thelb të mekanizmit të Badinterit, përcjell Zhurnal.mk.
“Badinteri është ndërtuar si mekanizëm që pa shqiptarët të mos mund të vendoset për shqiptarët”, shkruan Ademi.
Ai thekson se ky mekanizëm është krijuar edhe për të parandaluar mbivotimin e shqiptarëve gjatë miratimit të ligjeve përmes të cilave, sipas tij, mund të degradohen të drejtat e tyre.
“Badinteri është ndërtuar si mekanizëm që shqiptarët të mos mbivotohen gjatë miratimit të ligjeve me të cilat degradohen të drejtat e tyre”, shprehet Ademi.
Në postimin e tij, Ademi e lidh çështjen e Badinterit edhe me përgjegjësinë e përfaqësuesve shqiptarë në Kuvend.
“Badinteri është ndërtuar si mekanizëm që shqiptarët të mos mbivotohen nga shqiptari i cili i bindet Karakamishevës”, shkruan ai, duke shtuar se mekanizmi duhet të shërbejë edhe si mbrojtje nga rastet kur, sipas tij, interesat personale vendosen mbi interesat e komunitetit.
“Badinteri është ndërtuar si mekanizëm që shqiptarët të mos mbivotohen nga shqiptari për të cilin kolltuku peshon më shumë se populli”, vijon Ademi.
Në fund, Ademi e cilëson Badinterin edhe si tregues të legjitimitetit politik.
“Dhe po, Badinteri është tregues se kush e ka legjitimitetin. Me 11 deputet ndoshta mund të qëndrosh në pushtet, por nuk mund të imponosh politika të dëmshme”, përfundon ai.//Zhurnal.mk

