Stuhi e fuqishme në Kroaci dhe Slloveni, erërat arrijnë shpejtësinë deri në 103 km/h

Nga Xh M
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Lubljanë, 9 shtator Zhurnal.mk – Një stuhi e fuqishme ka përfshirë sot pjesën veriore të Ballkanit, pasi ndryshimi i motit nga Italia veriore dhe Alpet u zhvendos drejt Sllovenisë dhe Kroacisë. Stuhia solli reshje të dendura shiu, erëra të forta, breshër dhe probleme në disa zona.

Në Slloveni janë regjistruar erëra me shpejtësi deri në 103 kilometra në orë, ndërsa në Italinë veriore erërat e forta dhe reshjet e dendura rrëzuan pemë dhe shkaktuan përmbytje. Stuhia mbërriti edhe në Kroaci, ku janë regjistruar reshje të dendura në Rijekë dhe erëra të forta në pjesën perëndimore të Zagrebit.

Bëhet fjalë për një ndryshim të theksuar të motit, i lidhur me një front të ftohtë, i cili nga perëndimi, përmes Italisë veriore dhe Alpeve, po lëviz drejt Sllovenisë, Kroacisë dhe pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor. Përplasja e ajrit më të ftohtë me ajrin e ngrohtë dhe të lagësht mbi Detin Mesdhe krijon kushte për procese të fuqishme stuhish, reshje të rrëmbyeshme, breshër dhe erëra të fuqishme.

Stuhia fillimisht goditi pjesën perëndimore të Sllovenisë dhe më pas u përhap drejt pjesës së brendshme të vendit. Rreth mesditës ajo arriti edhe në Lubjanë, ku disa pjesë të qytetit mbetën pa energji elektrike.

Në bregdetin slloven, erërat më të fuqishme arritën rreth 50 kilometra në orë, ndërsa stacioni meteorologjik në Kanin regjistroi një goditje ere prej plot 103 kilometrash në orë. Për Primorskën ishte lëshuar alarm portokalli, i cili më pas u zgjerua në pjesën më të madhe të vendit për shkak të reshjeve të dendura të parashikuara.

Për jugperëndimin e Sllovenisë, gjatë orëve të mbrëmjes është paralajmëruar një sistem i ri stuhish, i cili mund të jetë edhe më i fuqishëm. Problem shtesë mund të paraqesin reshjet gjatë së enjtes, kur lokalisht, nga Istria sllovene deri në Slloveninë qendrore, në një kohë të shkurtër mund të bien rreth 100 litra shi për metër katror, ndërsa në disa zona edhe më shumë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër