Provat e reja të SPAK, Bardhi: Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Ballukut për t’i hequr imunitetin…?

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 9 shtator Zhurnal.mk – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në hetimin e SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Reagimi i Bardhit vjen pas të dhënave të reja të bëra publike nga Prokuroria e Posaçme, lidhur me një vile të sekuestruar tanimë në kompleksin “Green Coast”, në Palasë, e cila dyshohet se është në pronësi faktike të Ballukut, por rezulton e regjistruar në emër të Igli Tares.

Në reagimin e tij, Bardhi ngre pikëpyetje mbi masat e ndërmarra deri më tani nga SPAK dhe kërkon që Prokuroria e Posaçme t’i drejtohet sërish Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, një veprim i tillë do t’i hapte rrugë vijimit të procedurave ligjore ndaj ish-zëvendëskryeministres, në kuadër të hetimit të nisur nga SPAK.

Postimi i plotë i Bardhit:

Edhe sa vila të padeklaruara duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut, në mënyrë që SPAK të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit të saj?

Sot, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar përsëri. SPAK e ka marrë të pandehur edhe për 3 akuza të reja:

1. Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.

2. Fshehje ose mosdeklarim të pasurisë.

3. Pastrim të produkteve të veprës penale, në rrethana cilësuese.

Të treja këto i shtohen akuzës së mëparshme:

4. Për shkelje të barazisë në tendera, që përfshin 8 procedura tenderimi.

Siç kisha paralajmëruar shumë muaj më parë, SPAK, më në fund, e gjeti edhe vilën e dytë dhe gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e vilës në Palasë, të cilën Belinda Balluku ia ka marrë Arbër Abazit të Aeroportit të Vlorës dhe, njësoj si vilën nr.1, e ka vënë sërish në emrin e Igli Tares.

Media ka raportuar se janë 300 vila të tilla, në çdo resort të ndërtuar në vend. Do të duhet që të zbulohen të 300-a përpara se SPAK-u të zbatojë ligjin dhe të respektojë standardin e deklaruar dhe të zbatuar dhjetorin e kaluar nga vetë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme? Zoti Braho ka deklaruar në Kuvend se, “kur rëndohet pozita penale e një të pandehuri, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit ndaj tij.”

Bashkë me këtë të sotmen, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar jo 1 herë, por 4 herë, me akuzat më të rënda penale që një zyrtar mund të ketë në lidhje me veprat e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

Atëherë, pse nuk i drejtohet SPAK Kuvendit për heqjen e imunitetit?

Peshorja e drejtësisë nuk duhet të anojë më nga interesi politik i Edi Ramës! Çdo ditë vonesë është përpjekje për të lehtësuar pozitën e Belinda Ballukut dhe për të mbrojtur korrupsionin e saj dhe të Edi Ramës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër