Tiranë, 24 maj Zhurnal.mk – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar zyrtarisht në lidhje me thirrjen e ambasadorit të Rusisë në Tiranë, Alexey Zaitsev, pas sulmeve ruse me dronë dhe raketa, gjatë të cilave u godit kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Ukrainë.
Ministria e Jashtme thekson se ambasadorit Zaitsev i është përcjellë protesta e ashpër dhe është nënvizuar se sulmet kishin cenuar rëndë sigurinë dhe jetën e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë.
“Ky incident është i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë, në çdo rrethanë, të sigurisë dhe dinjitetit të stafit diplomatik të akredituar”, nënvizohet në reagim.
Njoftimi i Ministrisë së Jashtme:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thirri ditën e diel ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, Alexey Zaitsev, për t’i përcjellë protestën e ashpër pas sulmeve masive gjatë natës me dronë dhe raketa, gjatë të cilave u godit kompleksi rezidencial ku banon ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë.
Gjatë takimit u theksua se sulmet kishin cenuar rëndë sigurinë dhe jetën e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë. Ky incident është i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë, në çdo rrethanë, të sigurisë dhe dinjitetit të stafit diplomatik të akredituar.
Ambasadorit rus iu dorëzua notë verbale dhe iu kërkua që të përcjellë thirrjen e palës shqiptare për respektimin e normave ndërkombëtare pranë autoriteteve të vendit të tij.
