Tasholli nën brohoritjen e UÇK-së mes katërshes që mbahen në Hagë: Ju nuk jeni vetëm, pas jush qëndron një komb i tërë

nga D. V.

Në marshin “Drejtësi, jo politikë” që mblodhi mijëra shqiptarë, fjalën e nisi përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër” Ismail Tasholli ku mesazh çoi tek Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi që nuk janë vetëm dhe se prapa e ka një popull të tërë, raporton Ekonomia Online.

Tasholli tha se kur bëhet fjalë për UÇK-në, aty nuk ka ndarje, dhe se të gjithë janë bashkë.

“Sot dua t’ju drejtohem vetëm si qytetarë të nderuar, jo vetëm si përfaqësues të kësaj apo asaj prejardhjeje, jo si zë politik. Sepse kur vjen fjala për UÇK, aty nuk ka ndarje, aty nuk ka poste, aty jemi krejt bashkë. Njëjtë. Aty jemi bijtë dhe bijat e një historie që na ka bashkuar në momentet më të vështira. Ushtria Çlirimtare nuk është flamur partie, është themel i lirisë sonë dhe për atë themel nuk flasim me dallime, por me një zemër prej zemrës. Në çdo fshat e qytet ku kemi shkuar, ku kemi shkelur me Elezin për organizimin e marshit, një fjalë ka qenë mbi të gjitha: UÇK. Ka qenë fjala e nderit, fjalë që na ka bashkuar, fjalë që i ka mbushur sytë me lot e zemrat me krenari. S’ka pasur shtëpi, nuk ka pasur asnjë shesh ku nuk e kemi parë emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përmendet e të respektohet me dashuri. E kemi parë me sytë tanë sa shumë e do ky popull UÇK-në, si simbol, sakrificë, si themel i lirisë, si pjesë e identitetit tonë. Ajo ka qenë ndjenja që na ka lidhur kudo, krenaria që nuk shuhet dhe betimi i heshtur që nderi i saj nuk preket. Sot është 17 shkurt, urime Dita e Pavarësisë. Është dita kur një popull e shpalli para botës të drejtën për shtet, liri dhe dinjitet. Kjo ditë nuk është vetëm festë, por edhe kujtesë”, tha Tasholli.

Ai numëroi vrasjet, dëbimet e shtëpitë e djegura që u bënë nga agresori gjenocidial nën udhëheqejne e Sllobodan Millosheviqit.

“Sot në Hagë ndodhen ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, emra që për shumëkënd përfaqësojnë kapituj të tërë të historisë sonë të rezistencës dhe shtetndërtimit. Pavarësisht proceseve gjyqësore, një gjë mbetet: lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe kjo nuk mund të zhbëhet kurrë, sepse historia jonë nuk është abstrakte, ajo ka shifra dhe dhimbje. Mbi 12 mijë qytetarë të vrarë e të masakruar, mbi 1.600 persona ende të pagjetur, mbi 1.500 fëmijë nën moshën 18-vjeçare të vrarë, mbi 20 mijë të mbijetuar të dhunës seksuale, mbi 1 milion qytetarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, mbi 500 mijë shtëpi të djegura, bashkë me shkolla, spitale e institucione. Mbi 3 mijë dëshmorë e mijëra të plagosur. Këto nuk janë vetëm statistika. Janë plagë të hapura, janë familje që presin, janë nëna që nuk dinë ku e kanë vajzën apo djalin, janë fëmijë që u rritën pa prindër, janë gra që mbajnë dhimbjen si barrë të heshtur, janë qytete të tëra që u zbrazën me dhunë”, theksoi Tasholli.

Tasholli e bëri të qartë dallimin mes viktimës dhe agresorit.

“Duhet ta themi qartë dallimin mes agresorit dhe viktimës. Mes atij që erdhi për të pushtuar, për të djegur, për të dëbuar, dhe atij që u ngrit për të mbrojtur shtëpinë. Mes një lufte pushtuese dhe një lufte çlirimtare. UÇK nuk lindi për të marrë tokë të huaj, por për të mbrojtur shtëpinë e vet. Nuk lindi për dominim, por për liri. Thirrjet tona për drejtësi e jo politikë nuk janë kundër askujt. Janë për dinjitetin tonë kolektiv. Ne nuk mund të pranojmë që proceset që zhvillohen në emër të popullit të Kosovës të përdoren për të barazuar agresorin me viktimën apo për të mjegulluar karakterin çlirimtar të luftës sonë. Nëse drejtësia devijon nga parimet e barazisë dhe paanshmërisë, dhe kur gjyqi në Hagë thirret dhe vepron në emër të popullit të Kosovës, atëherë ne këtu i themi qartë: jo në emrin tim, jo në emrin tonë….ju nuk jeni vetëm. pas jush qëndron një komb i tërë, pas jush qëndron historia, sakrifica jonë, liria jonë. Ata nuk janë vetëm, ky është vetëm fillimi, nuk do të ndalemi kurrë”, tha ai.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More