Tirana do të mikpresë sesionin hapës të Kongresit Botëror të Ligjit

Nga D. V.
508 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 prill, Zhurnal.mk – Tirana është përzgjedhur të mikpresë sesionin hapës të Kongresit Botëror të Ligjit, më 6 dhe 7 maj 2026, që i paraprin Forumit kryesor global për ligjin, edicioni dyvjeçar i të cilit do të zhvillohet në Shqipëri, në vitin 2027.

Ky aktivitet institucional i nivelit të lartë është organizim i Shoqatës Botërore të Juristëve (SHBJ) në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të Shqipërisë, që do të bëjë bashkë përfaqësues të qeverisë, gjyqtarë ndërkombëtarë dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve kryesore ligjore dhe akademike në botë.

Të pranishëm në këtë Kongres do të jenë presidenti i SHBJ-së, Javier Cremades; ish-komisionerja evropiane për Drejtësinë, të Drejtat Themelore dhe Shtetësinë Viviane Reding; drejtorja ekzekutive e Fondacionit Botëror të Ligjit Angela Montoya-s, si dhe ekspertë globalë të fushës së drejtësisë.

Përzgjedhja e Tiranës si qyteti pritës për edicionin e vitit 2027, njeh procesin dhjetëvjeçar të reformës gjyqësore të Shqipërisë dhe progresin e saj në rrugën drejt integrimit evropian.

Sesioni hapës i Kongresit Botëror të Ligjit do të bashkëdrejtohet nga ministri i Drejtësisë Toni Gogu dhe presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve, Javier Cremades, me program të fokusuar në reformën dhe të ardhmen e ligjit.

Eventi do të çelet me një prezantim audiovizual mbi tranzicionin demokratik të Shqipërisë, objektivat kryesore të reformës së saj gjyqësore dhe rrugën drejt Bashkimit Europian, nën një mesazh qendror: “Sundimi i ligjit nuk jepet, ai ndërtohet”.

Në sesionin hapës do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili do të adresohet me një fjalë. Gjithashtu i pranishëm përmes një fjalimi me video do të jetë edhe presidenti i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Mattias Guyomar. Ndërsa të pranishmit e tjerë do të vijojnë me fjalime përshëndetëse mbi rëndësinë globale të Kongresit dhe rolin e Shqipërisë si vend pritës.

Në vijim, sesioni do të përfshijë një panel ndërkombëtar të nivelit të lartë të titulluar “Dhjetë vjet më vonë: Mësime dhe Perspektiva” me ekspertë kryesorë globalë, të moderuar nga Elisabeth Cassin.

Sesioni Hapës i Tiranës shënon një moment të rëndësishëm në rrugën drejt Kongresit Botëror të Ligjit 2027, duke riafirmuar angazhimin e bashkësisë ligjore ndërkombëtare për një rend botëror të qeverisur nga ligji dhe jo nga forca.

E themeluar në vitin 1963, Shoqata Botërore e Juristëve mbledh Kongresin Botëror të Ligjit çdo dy vjet dhe jep Çmimin Botëror për Paqe dhe Liri, ndër evente të tjera të mbajtura në të gjithë botën që synojnë forcimin e promovimit të sundimit të ligjit si garant të lirisë.

Edicioni i saj më i fundit mblodhi rreth 5500 pjesëmarrës nga më shumë se 85 vende.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër