Uashington, 06 tetor, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se arsyeja e tërheqjes së bombarduesve amerikanë me rreze të gjatë veprimi nga baza ushtarake në Britaninë e Madhe ishin “disa kërcënime”, duke kundërshtuar deklaratat e mëparshme të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
“Ka pasur disa kërcënime”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Dhe në vend që të provokojmë armikun, ne do ta kapim armikun dhe do ta mposhtim, por pse duhet t’i lëmë ata atje? Kështu që i zhvendosëm pak, jo shumë larg”, tha Trump.
Kur u pyet se kush qëndronte pas këtyre kërcënimeve, Trump tha se me shumë gjasë ato ishin të lidhura me Iranin.
Më herët, Rubio tha se tërheqja e bombarduesve nuk lidhej drejtpërdrejt me kërcënime të dyshuara terroriste, duke e përshkruar zhvendosjen e mjeteve ushtarake si një veprim rutinë.
Më vonë, Pentagoni konfirmoi se të gjithë bombarduesit amerikanë që ishin vendosur në bazën ajrore “RAF Fairford” ishin kthyer në bazat e tyre në SHBA.
Kjo duket se bie ndesh me deklaratën e Trump se avionët ishin zhvendosur “jo shumë larg”.
Gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se rreth 12 bombardues të tipit B-1 kishin qenë të dislokuar në bazë deri në largimin e tyre të fundit.
Në fund të shtatorit, pesë persona u arrestuan pranë bazës ushtarake “RAF Fairford”, nën dyshimin për vepra të lidhura me terrorizmin.
Më pas u arrestua edhe një person i gjashtë. Të gjashtë janë liruar, por me disa kushte të vendosura nga autoritetet.
“The New York Times” raportoi më herët se tërheqja e papritur nga “RAF Fairford” ishte shkaktuar nga kërcënimet e reja ndaj bazës.
Gazeta, duke cituar dy zyrtarë amerikanë, tha se autoritetet kishin marrë informacione të inteligjencës për një komplot të mbështetur nga Irani për të sulmuar bazën.
Ushtria amerikane kishte vendosur në Britani te Madhe bombardues të tjerë me rreze të gjatë veprimi në mars, për t’i dhënë vetes më shumë mundësi dhe fleksibilitet në operacionet ushtarake gjatë luftës kundër Iranit.
