Trump kërcënon me tarifa vendet që tregtojnë me Iranin

Nga admin
355 e lexuar

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që parashikon vendosjen e tarifave shtesë ndaj vendeve që vazhdojnë të tregtojnë me Iranin. Dokumenti, i publikuar të premten e 6 shkurtit, nuk përcakton një normë fikse, por përmend si shembull një tarifë prej 25%.

Sipas urdhrit, tarifa mund të aplikohet për mallrat e importuara në SHBA nga çdo vend që “drejtpërdrejt ose tërthorazi blen, importon ose përfiton shërbime nga Irani”.

Trump nuk e komentoi drejtpërdrejt vendimin, por përsëriti nga bordi i Air Force One se “Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore”.

Ky zhvillim vjen pas bisedimeve mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe iranianë në Oman, pas javësh kërcënimesh nga të dyja palët. Administrata amerikane paralelisht shpalli sanksione ndaj 15 entiteteve që kanë tregtuar naftë dhe produkte petrokimike me origjinë iraniane.

Irani, i cili tashmë është nën sanksione të gjera nga SHBA-të dhe fuqitë perëndimore, ka mohuar vazhdimisht se po kërkon të zhvillojë armë bërthamore, duke këmbëngulur se programi i tij është paqësor.

Trump e kishte braktisur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 gjatë mandatit të tij të parë, duke rikthyer sanksionet që goditën rëndë ekonominë iraniane. Masat përfshinin edhe “sanksione dytësore” ndaj vendeve që tregtonin me Iranin.

Pavarësisht kufizimeve, mbi 100 vende vazhdojnë të tregtojnë me Iranin. Partneri më i madh i eksportit është Kina, e cila deri në tetor 2025 bleu mbi 14 miliardë dollarë produkte iraniane. Pas saj renditen Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia.

Trump paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, “pasojat do të jenë shumë të rënda”, ndërsa bisedimet pritet të vazhdojnë javën e ardhshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër