Tsipras vijon replikat me Ramën: Askush nuk mund të më japë leksione për nacionalizmin

Nga Xh M
643 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Athinë, 1 qershor Zhurnal.mk – Ish-kryeministri grek, Alexis Tsipras, iu përgjigj ashpër kryeministrit shqiptar Edi Rama pas reagimit të këtij të fundit ndaj deklaratës së partisë së re të Tsiprës, ELAS, për incidentet në zonën e Vlorës.

Tsipras shprehet se u habit nga akuzat për retorikë nacionaliste dhe thekson se veprimtaria e tij politike, përpjekjet për paqe dhe bashkëpunim në rajon, si edhe Marrëveshja e Prespës , nuk i japin askujt të drejtën t’i mbajë leksione publike mbi nacionalizmin apo të majtën e shekullit XXI.

Ai nënvizon se mbrojtja e të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë Minoritetin Kombëtar Grek në Shqipëri, nuk duhet të ngatërrohet me nacionalizmin. Sipas tij, forcat progresiste duhet të mbështesin gjithmonë shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave ligjore të çdo qytetari.

Tsipras kujton gjithashtu se prej gati një dekade ka diskutuar me Ramën rëndësinë e garantimit të të drejtave pronësore për të gjithë qytetarët shqiptarë, përfshirë edhe anëtarët e minoritetit grek, duke theksuar se përparimi në këtë drejtim do të ndihmojë perspektivën europiane të Shqipërisë, ndërsa çdo regres do të përbëjë pengesë.

Në fund të mesazhit të tij, ai i drejtohet Ramës me tone më pajtuese, duke i uruar suksese dhe duke shprehur shpresën për bashkëpunim të ardhshëm për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe për marrëdhëniet greko-shqiptare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër