Shkup, 25 shtator, Zhurnal.mk – Ndryshimet klimatike tashmë kanë pasoja serioze mbi bujqësinë, infrastrukturën dhe funksionimin e përditshëm të shoqërive, porositi eurodeputeti dhe raportues i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc, në seancën e Komitetit Parlamentar të Përbashkët BE–Maqedonia e Veriut.
Ai theksoi se valët e fundit të të nxehtit, thatësirat dhe zjarret tregojnë se kushtet ekstreme klimatike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta edhe në pjesë të Evropës ku deri më tani nuk kanë qenë të zakonshme.
Sipas Vajcit, përveç uljes së emetimeve, është e domosdoshme që shoqëritë të përgatiten për ndryshimet klimatike që tashmë po ndodhin. Ai paralajmëroi se temperaturat e larta ndikojnë mbi shëndetin, bujqësinë, transportin dhe infrastrukturën.
Vajc u ndal edhe te potenciali i Maqedonisë së Veriut për zhvillimin e turizmit natyror. Ai e theksoi natyrën dhe parqet kombëtare si mundësi për tërheqjen e turistëve dhe zhvillimin ekonomik të mjediseve lokale.
Në seancë, deputetja Dragana Arsova foli për përparimin në harmonizimin e legjislacionit maqedonas me standardet evropiane në fushën e mjedisit jetësor.
Ajo theksoi se në vitin 2026 rrjeti i monitorimit për cilësinë e ajrit është zgjeruar me një stacion matës në Shtip, me ç’rast numri i stacioneve automatike matëse ka arritur në 23.
Arsova informoi edhe për aktivitetet në menaxhimin e mbeturinave, mbrojtjen e natyrës dhe politikën klimatike. Sipas saj, po punohet për një Ligj të ri për natyrën, ndërsa janë identifikuar 24 zona potenciale për rrjetin e ardhshëm “Natura 2000”, të cilat përfshijnë rreth 12 për qind të territorit të shtetit.
Në pjesën e politikës klimatike, ajo theksoi se Qeveria ka miratuar Projektligjin për veprim klimatik, me të cilin parashikohen mekanizma për monitorim dhe kontroll të emetimeve dhe vendoset bazë për neutralitet klimatik afatgjatë.
