Vdes Jesse Jackson, lideri i të drejtave civile

nga D. V.

Udhëheqësi i të drejtave civile në SHBA, Jesse Jackson vdiq në moshën 84-vjeçare.

Sipas një deklarate të familjes, ai vdiq sot në mëngjes, i rrethuar nga të afërmit e tij, sipas BBC.

“Më pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të liderit të të drejtave civile dhe themeluesit të ‘Rainbow PUSH Coalition’, i nderuari Reverend Jesse Louis Jackson Sr.”, thuhet në deklaratë.

Familja e përshkroi atë si një lider shërbyes, i përkushtuar jo vetëm ndaj familjes, por edhe ndaj të shtypurve dhe njerëzve në mbarë botën.

Jackson ishte një figurë kyçe e lëvizjes për të drejtat civile në vitet 1960, duke punuar ngushtë me Martin Luther King Jr. në kuadër të “Southern Christian Leadership Conference”.

Ai ishte pranë King në Memfis në vitin 1968, kur ky i fundit u vra, një ngjarje që tronditi thellë SHBA-në.

Ai kandidoi dy herë për nominimin presidencial të Partisë Demokrate, në vitet 1984 dhe 1988, duke mobilizuar miliona votues dhe duke u bërë një zë i fuqishëm për barazi racore dhe drejtësi sociale.

Jackson themeloi organizatën ”Operation PUSH” në vitin 1971 dhe më pas “Rainbow PUSH Coalition”, duke vijuar aktivizmin edhe në dekadat pasuese.

Në vitin 2017, ai njoftoi se ishte diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar u shtrua në spital pas diagnostikimit me një gjendje degjenerative të quajtur ”progressive supranuclear palsy”.

Shkaku i saktë i vdekjes nuk është konfirmuar ende.

Reverend Jackson lë pas bashkëshorten e tij, Jacqueline, fëmijët dhe nipërit e mbesat.

Ceremonitë publike përkujtimore do të mbahen në Çikago, ndërsa detajet e plota do të bëhen publike nga “Rainbow PUSH Coalition”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More