VLEN: Bashkimi ynë e çon politikën e vjetër në koshin e historisë

Nga B.M
737 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 maj, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në skenën politike shqiptare në vend, duke theksuar se bashkimi i tyre në një subjekt të vetëm politik përfaqëson fillimin e një epoke të re për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Në reagimin e tyre, nga VLEN thonë se e kuptojnë “panikun” në radhët e BDI-së, i cili sipas tyre buron nga realiteti i ri politik i krijuar pas kongresit të 9 majit.

“U dëshmua e kundërta e asaj që është propaguar për dy vite: VLEN jo vetëm që nuk u shpërbë, por u bashkua në një subjekt të vetëm politik. Pesë parti në një strukturë të përbashkët përbëjnë një arritje historike dhe një forcë të re, më të konsoliduar”, thuhet në reagim.

Nga VLEN komentojnë edhe përpjekjet e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, për unifikimin e partive të koalicionit AKI, duke vlerësuar se ato kanë dështuar që në nisje për shkak të refuzimit nga partnerët politikë.

Sipas VLEN-it, në skenën politike tashmë përballen dy koncepte të ndryshme: “VLEN me vizion të qartë për reforma dhe zhvillim” dhe “BDI e pareformuar dhe e zhytur në skandale”.

Koalicioni thekson se pika qendrore e programit të tyre mbetet shqiptari në Maqedoninë e Veriut, të cilin e përshkruajnë si “dinjitoz, të barabartë dhe institucionalisht të fuqishëm”.

“Angazhimi ynë është për përfaqësim real në të gjitha institucionet dhe për barazi që ndihet në praktikë, jo vetëm në letër”, deklarojnë nga VLEN.

Në fund, ata theksojnë se do të angazhohen që të drejtat e shqiptarëve të mos mbeten simbolike apo objekt pazari politik, duke kërkuar zbatim të plotë të gjuhës shqipe, përfaqësim të barabartë dhe qasje të drejtë në institucionet shtetërore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër