Shkup, 24 korrik, Zhurnal.mk – Çarshia e Vjetër e Shkupit për katër netë rresht do jetë qendër e aktiviteteve të larmishme në kalendarin kulturor të vendit, thonë nga VLEN përmes një kumtese.
“Edicioni i parë i Festivalit ndërkombëtar të muzikës “Çarshia”, shënon fillimin e një epoke të re, ku kultura bëhet pjesë e zhvillimit, identitetit dhe promovimit ndërkombëtar të kryeqytetit.
Me angazhimin e institucioneve dhe artistëve të njohur, po ndërtojmë një traditë që do ta kthejë Çarshinë e Vjetër në një qendër të rëndësishme të artit dhe kulturës në rajon.
Pjesëmarrja e emrave të mëdhenj të artit, si Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti, së bashku me institucionet përkatëse, dëshmon se kur ekziston vizion dhe vullnet, Shkupi mund të organizojë ngjarje me standarde ndërkombëtare. I gjithë ky aktivitet nuk do realizohej pa përkushtimin e të parit të Çairit, Izet Mexhiti i cili me punën e tij po i jep Çarshisë gjallëri dhe një dimension të ri.
Ky është vetëm fillimi i një tradite që do të rritet nga viti në vit.
VLEN mbetet e përkushtuar që kultura të mos jetë dekor i politikës, por prioritet i zhvillimit. Sepse investimi në kulturë është investim në identitet, në turizëm, në ekonomi dhe në të ardhmen e vendit.
Manifestimi “Çarshia” është dëshmia se me vizion, punë dhe përkushtim ndërtohen vlera që mbeten. Ky festival është fitore e kulturës, e artistëve dhe e të gjithë qytetarëve”, thonë nga VLEN.
