VLEN: Nga Sopoti te Lagjja e Trimave, kjo është trashëgimia 24-vjeçare e BDI-së

Nga D. V.
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 qershor, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke akuzuar partinë e drejtuar nga Ali Ahmeti se gjatë 24 viteve në pushtet ka dëmtuar frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe e ka shndërruar atë në instrument për interesa partiake dhe personale.

Në reagimin e tyre, nga VLEN theksojnë se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e asnjë partie politike, por rezultat i sakrificës së një gjenerate të tërë dhe një moment historik që, sipas tyre, detyroi shtetin të reflektojë mbi parimin e barazisë.

“BDI e degradoi Marrëveshjen e Ohrit në dekor për pushtet, tenderë, privilegje klanore dhe pasurim personal”, thuhet në reagim.

VLEN rikujton deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë për, siç thonë ata, korrupsionin e lartë në vend dhe akuzon ish-funksionarë të BDI-së se e kanë përdorur procesin e avancimit të të drejtave të shqiptarëve për përfitime personale.

Në reagim renditen një sërë ngjarjesh dhe rastesh që, sipas VLEN-it, përbëjnë “trashëgiminë politike” të BDI-së, duke përmendur rastet e Sopotit, Enciklopedisë së diskutueshme, projektin “Shkupi 2014”, rastin “Monstra”, ngjarjet në Lagjen e Trimave, si dhe disa tragjedi dhe skandale që kanë shënuar vitet e fundit në vend.

VLEN akuzon gjithashtu BDI-në për përfshirje në afera korruptive, ndikim në proceset gjyqësore dhe mbrojtje të figurave të larta politike të përfshira në skandale.

“Nuk ka parti politike që më shumë e ka dëmtuar frymën e Marrëveshjes së Ohrit sesa vetë BDI”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, VLEN vlerëson se shqiptarët nuk mund të identifikohen me tenderët, kazinotë apo korrupsionin dhe se Marrëveshja e Ohrit u takon të gjithë shqiptarëve, e jo një partie të vetme politike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër