Ribalanci kaloi në Qeveri, do të shpenzohen 179 milionë euro më shumë

Nga D. V.
652 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 qershor, Zhurnal.mk – Ministritë e Mjedisit Jetësor dhe të Transportit dhe Lidhjeve do të marrin më shumë mjete për shpenzime kapitale me ribalancin e buxhetit për këtë vit, tha ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska, duke komentuar projeksionet e buxhetit të ribalancuar që sot u miratuan nga Qeveria.

“Ministria e Mjedisit Jetësor do të marrë 2,3 miliardë denarë për shpenzime kapitale, prej të cilave 1 miliard denarë janë mjete nga llogaria e Ministrisë nga kredi dhe burime të tjera. Transporti do të marrë 1,4 miliardë denarë, pasi për shkak të realizimit të fortë të projekteve kjo Ministri tashmë nuk ka mjete në llogarinë për shpenzime kapitale. Para do të marrë edhe Ministria e Arsimit në vlerë prej 426 milionë denarësh, si dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, i cili kërkoi më shumë dhe mori 200 milionë denarë shtesë për investime për rinovim të inventarit dhe pajisjeve. Mjete shtesë do të marrin edhe institucione të tjera, por në vlerë më të vogël,” tha Dimitrieska Koçoska.

Ajo sqaroi se, ndryshe nga buxheti fillestar, me ribalancin pjesa e shpenzimeve rritet për rreth 179 milionë euro, prej të cilave për investime kapitale ka 100 milionë euro shtesë. Ministrja theksoi se deficiti buxhetor në raport me BPV nuk do të rritet dhe do të mbetet 4,1%, ndërsa një pjesë e mjeteve që marrin institucionet shtetërore me ribalancin vjen nga llogaritë e tyre të krijuara nga donacionet e pritshme dhe nga të ardhurat jotatimore, ku sipas vlerësimeve ruhen mbi 10 milionë denarë.

“Veçanërisht me rëndësi është që me ribalancin sigurohen mjete shtesë për investime kapitale. Shpenzimet kapitale arrijnë rreth 46 miliardë denarë dhe rriten për rreth 5,8 miliardë denarë ose për 14,5% krahasuar me buxhetin fillestar. Nuk flasim për deficit që financon shpenzime të përditshme, por për deficit që financon zhvillim,” tha Dimitrieska-Koçoska.

Ajo informoi gjithashtu se do të ketë rritje të shpenzimeve edhe për paga, një zë që është rritur për 1,1 miliard denarë.

Me këtë ribalanc, të ardhurat totale mbeten në kuadër të projeksioneve, pra rishikohen nga 374,9 miliardë denarë në 379,2 miliardë denarë. Shpenzimet totale rishikohen në 425,2 miliardë denarë.

Deficiti rritet nga 39,2 miliardë denarë në 46,1 miliardë denarë. Për herë të parë, siç tha ministrja, rritja e deficitit është rezultat kryesisht i shpenzimeve kapitale më të larta dhe investimeve në infrastrukturë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër