Shkup, 22 qershor, Zhurnal.mk – Në një press konferencë nga VLEN, Muhamet Elmazi, i bëri thirrje Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të hapë menjëherë hetim lidhur me pretendimet për parregullsi në tenderët e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore gjatë kohës kur institucioni drejtohej nga ish-drejtori Ejup Rustemi.
Në një konferencë për media, Elmazi tha se kanë kaluar tre ditë që nga publikimi i informacioneve në një media të shtypur, ku pretendohet se Rustemi ka ushtruar presion ndaj një kompanie të madhe evropiane, prodhuese e gardheve mbrojtëse, për të mos marrë pjesë në tenderë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa sipas tij është favorizuar një kompani nga Serbia.
Sipas VLEN-it, bëhet fjalë për një rast të dyshuar të eliminimit të konkurrencës dhe favorizimit të një kompanie në tenderë me vlerë milionëshe, që lidhen me furnizimin e gardheve mbrojtëse në rrugë.
Elmazi theksoi se gardhet mbrojtëse janë element i rëndësishëm i sigurisë në komunikacion dhe ngriti shqetësimin se, nëse pretendimet rezultojnë të vërteta, interesat ekonomike mund të kenë qenë mbi sigurinë e qytetarëve.
Ai kritikoi edhe mosreagimin e deritanishëm të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, duke kërkuar nga prokurori Islam Abazi që të hapë lëndë dhe të verifikojë të gjitha informacionet që lidhen me procedurat e furnizimeve publike, tenderët për gardhet mbrojtëse dhe shumat që përmenden në opinion.
“Nëse Prokuroria hesht përballë këtyre informacioneve serioze, atëherë lind pyetja nëse ajo do të veprojë sipas detyrës zyrtare apo pret udhëzime politike”, deklaroi Elmazi.
VLEN vlerësoi se qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse paratë publike janë shpenzuar në përputhje me ligjin dhe pse, sipas pretendimeve të publikuara, është favorizuar një kompani serbe.
Në konferencë, Elmazi adresoi kritika edhe ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar partinë për, siç u shpreh ai, “patriotizëm të rremë” dhe duke pretenduar se gjatë kohës sa ishte në pushtet ka favorizuar interesa personale në bashkëpunim me kompani serbe.
Në fund, VLEN kërkoi nga Prokuroria që të mos vonojë procedurat, por të ndërmarrë veprime konkrete dhe ta informojë opinionin për hapat që do të ndërmerren lidhur me këto pretendime.
*Deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pasur reagim nga ish-drejtori i NP për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, nga BDI apo nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit lidhur me këto pretendime.
