VLEN: Pse BDI-ja po e mbron mafian urbane në Tetovë? Kujt i pengon zhvillimi i Tetovës?

Nga B.M
377 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 25 maj, Zhurnal.mk – VLEN ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së lidhur me zhvillimet në Tetovë, duke akuzuar partinë opozitare se po mbron, siç thonë, “mafian urbane” dhe interesat që kanë penguar zhvillimin e qytetit për vite me radhë.

Në reagimin e tyre, nga VLEN thonë se rikthimi i rendit dhe ligjit në Tetovë nën udhëheqjen e kryetarit të komunës, Bilall Kasami, është bërë “therrë në sy” për BDI-në. Ata akuzojnë ish-pushtetin lokal se e ka lënë komunën me borxh prej 24 milionë eurosh dhe se ka toleruar uzurpimin e pronave publike.

Sipas VLEN-it, gjatë qeverisjes së kaluar në Tetovë, Stadiumi i qytetit dhe Qendra Sportive nuk kanë mundur të zhvillohen për shkak të uzurpimeve private, ndërsa pushteti i atëhershëm, sipas tyre, ka mbyllur sytë para “mafias urbane”.

Nga kjo parti theksojnë se me ardhjen e Kasamit në krye të komunës, pronat publike janë rikthyer në funksion të qytetarëve dhe kanë nisur projekte infrastrukturore si ndërtimi i Stadiumit të Tetovës, rrugëve, bulevardeve dhe dy shkollave të mesme.

VLEN gjithashtu pretendon se gjatë këtij mandati janë realizuar investime në ujësjellës, kanalizim, salla sportive dhe pishina, me synimin që Tetova të shndërrohet në një “qytet evropian”.

Në reagim përmenden edhe ish-kryetarët e komunës, Bajram Rexhepi dhe Teuta Arifi, për të cilët VLEN pretendon se e kanë zhytur komunën në borxhe dhe kanë shitur prona publike.

Në fund, VLEN vlerëson se rezultati i zgjedhjeve lokale në Tetovë, ku kjo parti fitoi me diferencë prej rreth 5 mijë votash, përbën mesazh të qartë kundër korrupsionit dhe, siç shprehen ata, “mafias urbane”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër