Wadephul: Këshilli i Sigurimit të veprojë për përshkallëzimin në Hormuz

Nga D. V.
430 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Berlin, 27 prill Zhurnal.mk – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, po udhëton drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit  të Sigurimit të  Kombeve të Bashkuara, e cila pritet të fokusohet në situatën në Ngushticën e Hormuzit.

Para nisjes, Wadephul u bëri thirrje anëtarëve të këshillit të përmbushin përgjegjësitë e tyre në organin më të fuqishëm të  Kombeve të Bashkuara, në trajtimin e luftës me Iranin.

Ai theksoi se një veprim i vendosur do të forconte rendin ndërkombëtar.

Ministri gjerman kërkoi që OKB-ja të shndërrohet në “qendrën kryesore të diplomacisë së krizave”, duke kritikuar faktin se shpesh interesat e kundërta të vendeve anëtare bllokojnë vendimmarrjen në Këshillin e Sigurimit.

Ai përmendi rolin e Kinës dhe Rusisë, të cilat si anëtare të përhershme me të drejtë vetoje shpesh pengojnë iniciativat për zgjidhjen e konflikteve.

Wadephul pritet të mbajë një fjalim gjatë debatit për sigurinë detare, ku do të diskutohet rifillimi i tregtisë së naftës dhe gazit përmes Hormuzit, një pikë kyçe në konfliktin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Ministri gjerman planifikon gjithashtu takime me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, ndërsa kërkon mbështetje për kandidaturën e Gjermanisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

Këshilli i Sigurimit, i ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, është i vetmi organ i OKB-së që mund të miratojë rezoluta detyruese ligjërisht, të shoqëruara me sanksione apo edhe veprime ushtarake në rast moszbatimi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër