Weitz: Maqedonia mund të jetë anëtare e rradhës në BE pas Malit të Zi

Nga Xh M
1,224 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 16 qershor Zhurnal.mk – Raportuesit e Parlamentit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar në Strasburg projekt-rezolutat e bazuara në raportet vjetore të Komisionit Evropian për progresin e shteteve në procesin e integrimit evropian.

Në seancën plenare të Parlamentit Evropian u diskutuan raportet për Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në debat mori pjesë edhe komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, si dhe eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike.

Raportuesi për Maqedoninë, Thomas Weitz, vlerësoi se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon i ndikuar nga faktorë të ndryshëm të jashtëm, duke kujtuar konfliktet e viteve ’90.

Ai theksoi se dy vende kanë arritur të shmangin dhunën masive – Mali i Zi dhe Maqedonia – duke shtuar se vendi ynë ka potencial të jetë ndër kandidatët kryesorë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Po, mund të themi se vendi nuk i ka zbatuar reformat aq shpejt sa do të duhej, por duhet të pranojmë gjithashtu se edhe ne në Bashkimin Evropian kemi dhënë premtime që nuk i kemi përmbushur,” tha Weitz.

Sipas tij, Maqedonia dhe vendet e tjera të rajonit tregojnë gatishmëri për zbatimin e reformave të nevojshme, ndërsa BE-ja duhet të mbajë motivimin e tyre përmes përfitimeve konkrete edhe para anëtarësimit të plotë.

Ai përmendi si shembuj integrimin e pjesshëm në tregun evropian, lehtësimin e roamingut dhe anëtarësimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Weitz theksoi se zgjerimi i ardhshëm i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor do të sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike dhe të sigurisë për Unionin, duke vlerësuar se pas Malit të Zi dhe Shqipërisë, Maqedonia mund të jetë vendi i radhës që i bashkohet familjes evropiane.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër