Tiranë, 18 gusht, Zhurnal.mk – Për vite me radhë, komunitetet në jug të Shqipërisë përjetuan një zhvillim të ngadaltë dhe një largim të banorëve, veçanërisht të të rinjve, të cilët kërkonin mundësi më të mira diku tjetër – edhe pse vendi po shndërrohej me shpejtësi në një destinacion tërheqës turistik, shkruan World Bank’s Europe and Central Asia (WorldBankECA).
Kristian Kondi, menaxheri i restorantit Zonja Gjenë në Berat, kujton se “10 vjet më parë, kur isha fëmijë, në këtë rrugicë kishte vetëm dy ose tre dyqane. Pas orës 18:00, gjithçka ishte e qetë, dritat ishin të fikura dhe nuk kishte asnjë njeri, por gjithçka ka ndryshuar”.
Bashkitë kanë nisur të shfrytëzojnë potencialin e pasur historik dhe natyror të rajonit: qytetet e trashëgimisë botërore të njohura nga UNESCO, kalatë e lashta, arkitekturën e periudhës osmane, vijën bregdetare piktoreske dhe shumë më tepër.
Përmes Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik (PIUTD), Banka Botërore, në partneritet me Qeverinë e Shqipërisë, ka ndihmuar në restaurimin e monumenteve historike, përmirësimin e infrastrukturës përreth tyre dhe zgjerimin e shërbimeve turistike.
Këto investime kanë sjellë mundësi të reja ekonomike dhe vende pune në komunitetet e Beratit, Gjirokastrës, Përmetit dhe Sarandës dhe në zonat përreth tyre.
Bumi turistik nxit zhvillimin lokal dhe krijimin e vendeve të punës.
PIUTD u përqendrua në restaurimin e 12 pikave kryesore turistike, si Qafa e Pazarit, shëtitorja e Sarandës, si dhe kalatë e Beratit, Borshit Gjirokastrës dhe Kaninës, duke i bërë ato më të aksesueshme për vizitorët.
Gati 200 mijë metra katrorë hapësira publike janë përmirësuar.
Kjo ka përfshirë restaurimin e rrugëve me kalldrëm, shtrimin e rrugëve, rehabilitimin e shesheve, vendosjen e sinjalistikës, trotuareve, ndriçimit, shtigjeve të reja, stolave, rampave dhe pikave të informacionit për turistët.
Turizmi tashmë po përjeton një rritje të madhe.
Sipas INSTAT, Shqipëria pati një rritje prej 82% të ardhjeve të turistëve në vitin 2024 krahasuar me vitin 2019.
Në jug të Shqipërisë, shifrat janë edhe më mbresëlënëse: Berati regjistroi pothuajse katër herë më shumë turistë, ndërsa Gjirokastra gjashtë herë më shumë gjatë së njëjtës periudhë.
Kjo rritje e numrit të turistëve, e nxitur edhe nga investimet e sektorit publik, po sjell investime të reja nga sektori privat.
Sipërmarrja lokale po lulëzon
Familjet po i shndërrojnë shtëpitë historike në bujtina, po krijojnë eksperienca kulinare dhe kulturore dhe po investojnë edhe në infrastrukturë të re, si shtigje për ecje dhe çiklizëm, autobusë elektrikë, varka dhe së shpejti edhe linja zipline.
Këto investime po nxisin zhvillimin e turizmit të aventurës dhe aktiviteteve në natyrë.
Që nga fillimi i zbatimit të PIUTD, numri i bizneseve të lidhura me turizmin në zonat e mbështetura nga projekti është më shumë se dyfishuar.
Ky ekosistem në rritje i iniciativave private po e zgjeron sezonin turistik në të gjithë jugun e Shqipërisë, po diversifikon burimet e të ardhurave për banorët dhe po i shndërron zonat e restauruara të trashëgimisë kulturore në qendra të gjalla ekonomike.
“Dikur kishim turistë vetëm në korrik dhe gusht. Tani turizmi në Sarandë është gjatë gjithë vitit”, thotë Rudina Liçaj, një operatore turistike në qytet.
Mundësitë po i rikthejnë banorët nga migrimi
Mundësitë e krijuara nga zhvillimi i turizmit të trashëgimisë në jug të Shqipërisë dhe investimet private që kanë ardhur si pasojë e tij kanë ndihmuar gjithashtu në përmbysjen e rënies së popullsisë në rajon.
Zona po shndërrohet në një magnet për shqiptarët që janë larguar jashtë vendit dhe që tani po kthehen në qytetet e tyre për të investuar, për të sjellë ide të reja dhe për të ndërtuar jetën e tyre.
Kristi Magllara, e cila u kthye në Sarandë pas 15 vitesh jetese në Gjermani dhe Austri, tani menaxhon biznesin turistik të familjes së saj.
“Vura re rritjen e vrullshme të turizmit në Shqipëri. Mendova se ishte momenti i duhur për t’u kthyer në shtëpi, për të zhvilluar biznesin e familjes dhe për të sjellë ide të reja biznesi.
Kurë nuk e imagjinoja se do të kthehesha në Gjirokastër. Por, me të gjitha investimet e bëra në qytet, si në infrastrukturë, ashtu edhe në çdo aspekt tjetër të jetës, vendosa të kthehesha dhe të investoja të gjitha kursimet e mia në sektorin e mikpritjes, pikërisht në shtëpinë ku u rrita”, thotë Hajdar Ceribashi, menaxher i hotelit Aqueduct Inn në Gjirokastër.
Një model për zhvillim të qëndrueshëm
Në thelb, PIUTD synon të ruajë pasuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, duke nxitur njëkohësisht rritjen ekonomike.
Nga restaurimi i Kalase së Gjirokastrës deri te investimet në infrastrukturën publike, ekoturizëm dhe shërbimet për vizitorët, qëndrueshmëria është pjesë e çdo përpjekjeje të projektit.
Bashkitë kanë fituar përvojë dhe aftësi të vlefshme, duke krijuar njësi të posaçme për turizmin me synimin për të garantuar zhvillimin afatgjatë të sektorit dhe ndikimin e tij pozitiv.
“Ne nuk kemi ndërtuar vetëm rrugë, sheshe dhe fasada. Kemi krijuar një model zhvillimi që vlerëson natyrën, kulturën dhe komunitetin”, thekson Ervin Ceca, kryetari në detyrë i Bashkisë Berat.
