Zanati i saraçëve në zhdukje e sipër

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 31 tetor Zhurnal.mk – Ka mbushur plotë 74-vjet, ndërsa me këtë zanat, punon tash e gjashtë dekada. Rripat e kuajve janë mjeshtëria e tij. Por, kuajt pothuajse janë zhdukur më nga përdorimi e bashkë me to, edhe mundësia e tij për të mbijetuar nga ky zanat. Rripin e fundit apo hamin e fundit për kuaj e ka shitur para shtatë vitesh, ndërsa dy javët e fundit, as edhe një rrip lëkure nuk ka dalë nga dyqani.

“Ka shtatë-tetë vite, ose më tepër, nuk ka më u krye puna nuk rijnë kuaj më. S’ka punë më tash s’kemi çka bëjmë, vjen pensioni e bëhemi idare, pastaj dhe kalojmë kohën këtu me ndonjë shok e dashamir. Ka dy javë që kam shit rripin e fundit, nuk shkon, krejt blejnë jashtë prej letre janë ato ma lirë, por ky lëkurë është”, tha Sherafedin Abdili, saraç.

Zanatin e pati marrë nga mjeshtri i tij, por që shkurt pasi mësoi zanatin, mjeshtri migroi në Turqi, dhe dyqanin e bleu Zoti Sherefedini.

“E mësova zanatin pastaj mjeshtri iku në Turqi dhe e shiti dyqanin por e mora unë dhe nisa të punoj, por kishte kuaj shumë atëherë, shkonin në Shkup vinin me kuaj lëvronin me kuaj e tani s’ka, krejt me traktor e makina. Hama kuajsh kemi bë shumë, palldëme për tek samari që vendosen, po kishte punë, e tani s`ka aspak”, deklaroi Abdili.

Të rinjve, nuk u intereson aspak ky zanat, por edhe s’kanë faj thotë Sherefedin Abdili, sepse nuk jetohet më nga ky zanat.

“Jo, jo, s’ka interesim por edhe po ta mësojnë kot e kanë, kot, s’ka më kuaj apo gomarë. Me ato bënim punë dikur, dimrit bënim hamat nga 100 bënim dhe i vjerrnim në trena dhe verës krejt shiteshin por kishte kuaj, secila shpi kishte, tani as lopë nuk mbajnë”, thotë Saraçi Sherafedin Abdili.

Në Tetovë, nga gjithsej gjashtë të atillë, kanë mbetur vetëm dy persona që ushtrojnë profesionin e Saraçit, por që të dy shkojnë drejt mbylljes së dyqaneve dhe ikjes nga ky profesion, sepse nuk sigurohet ekzistenca nga saraçllëku thonë mjeshtrit e vjetër të lëkurës.

artikuj të ndërlidhura