Në një konferencë të rregullt për shtypin të organizuar të enjten nga Ministria e Tregtisë e Kinës, zëdhënësi i kësaj ministrie He Yadong duke folur lidhur me publikimin nga Komisioni Evropian të projektligjit për prokurimin publik, u shpreh se Kina ka vënë re që, në këtë projektligj, Komisioni Evropian ka vendosur një klauzolë, “Evropa e para”, duke kërkuar përfshirjen e faktorëve jo të tregut, si atyre të sigurisë, në standardet e vlerësimit, për të përjashtuar ose për të kufizuar sipërmarrjet nga vendet e treta që nuk i plotësojnë kushtet. Pala kineze është shumë e shqetësuar lidhur me këtë, vuri në dukje zëdhënësi i dikasterit kinez të tregtisë.
He u shpreh në vijim se, që nga fillimi i këtij viti, BE-ja ka paraqitur me radhë projektamendamente për Ligjin e Sigurisë Kibernetike, Ligjin e Përshpejtuesit Industrial etj., ku zbatohet proteksionizmi në pretekstin e sigurisë kibernetike dhe të zhvillimit industrial, duke vendosur klauzola diskriminuese e duke shtrënguar vazhdimisht kërkesat për hyrjen në treg. Kina i bën thirrje BE-së të respektojë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, të ruajë hapjen e tregut dhe të rishikojë dispozitat diskriminuese në projektligj, për të krijuar një mjedis biznesi të barabartë, transparent e jodiskriminues për ndërmarrjet që investojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë në Evropë.
