Shtip, 14 maj Zhurnal.mk – Në kuadër të politikave për komunikim aktiv dhe mbështetje institucionale ndaj investitorëve, sot në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale në Shtip u realizua vizitë dhe takim pune me menaxhmentin e kompanisë italiane “Condevo MK” nga ana e Zëvendësdrejtorit të Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale, Aziz Maksuti.
Kompania, e cila punëson rreth 200 punëtorë, është e specializuar në prodhimin e komponentëve për bojlerë që eksportohen në tregun europian dhe konsiderohet si një nga shembujt e suksesshëm të investimeve të huaja në vend.
Gjatë vizitës, u prezantua nga afër procesi modern i prodhimit, teknologjia që përdoret, standardet e cilësisë si dhe puna dhe përkushtimi i stafit që kontribuon në zhvillimin industrial dhe ekonomik të vendit.
Nga institucioni theksuan se mbështetja ndaj investitorëve ekzistues dhe krijimi i kushteve sa më të favorshme për zgjerimin e investimeve mbetet prioritet strategjik, me fokus në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardit të qytetarëve.
