Zgjerohet tragjedia në Maldive, mbytet edhe palombari që po kërkonte trupat e turistëve

Nga Xh M
554 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Maldive, 16 maj Zhurnal.mk – Një operacion kërkimi në Maldive është shndërruar në tragjedi të dytë, pasi një zhytës shpëtimi ka humbur jetën gjatë përpjekjeve për të gjetur trupat e pesë turistëve italianë, të cilët vdiqën në një aksident zhytjeje në shpellë.

Sipas autoriteteve vendase, Mohamed Mahdhee u dërgua me urgjencë në spital në gjendje kritike, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, duke konfirmuar një tjetër viktimë në një nga operacionet më të rrezikshme të shpëtimit në vend.

Pesë turistët italianë humbën jetën gjatë një zhytjeje eksploruese në një sistem shpellor nën ujë, në një thellësi prej rreth 50 metrash. Deri më tani, vetëm një trup është arritur të nxirret, në një shpellë edhe më të thellë, rreth 60 metra.

Autoritetet në Maldive e kanë cilësuar operacionin si jashtëzakonisht të rrezikshëm, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe thellësisë së madhe ku po zhvillohen kërkimet.

Sipas një zëdhënësi të Qeverisë së Maldiveve, tetë zhytës shpëtimi ishin futur në ujë gjatë ditës së operacionit. Pas daljes në sipërfaqe, ata kanë vënë re se një prej kolegëve të tyre, Mohamed Mahdhee, nuk ishte kthyer.

Ekipi është rikthyer menjëherë në ujë dhe e ka gjetur atë pa ndjenja, por përpjekjet për ta shpëtuar nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Pesë viktimat italiane
Viktimat e aksidentit ishin pjesë e një grupi zhytësish italianë, mes tyre një profesoreshë e Universitetit të Genoa-s, vajza e saj dhe dy studiues, si dhe një instruktor zhytjeje. Ata kishin hyrë në ujë nga një jaht privat dhe më pas ishin raportuar të zhdukur pasi nuk ishin kthyer në sipërfaqe.

Autoritetet vendore kanë konfirmuar se kushtet e motit në zonë ishin të vështira dhe ishte lëshuar paralajmërim për anije dhe peshkatarë për shkak të detit të trazuar.

Autoritetet në Maldive po hetojnë rrethanat e aksidentit, përfshirë edhe faktin pse grupi ka zbritur në një thellësi shumë më të madhe se kufiri i lejuar për zhytje rekreative, i cili është rreth 30 metra.

Ngjarja cilësohet si një nga aksidentet më të rënda të zhytjes në historinë e vendit, që është një nga destinacionet më të njohura turistike në botë për sportet nënujore.

Të gjitha palët janë ende në proces kërkimi dhe hetimi, ndërsa autoritetet kanë theksuar se operacionet vijojnë në kushte shumë të vështira dhe me rrezik të lartë për ekipet e shpëtimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër