Zjarret në vend, 8 vatra vijojnë të jenë aktive

Nga Xh M
1,346 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 gusht Zhurnal.mk – Moti i nxehtë dhe me erë ka favorizuar përhapjen e disa zjarreve gjatë kësaj të marte në vendin tonë. Pjesa më e madhe e tyre janë shuar, por 8 mbeten ende aktive.

Mes tyre ishte edhe zjarri që rrezikoi kurorën e gjelbër të qytetit të Pukës, ku dyshohet se një zjarrvënie e qëllimshme kërcënoi një pasuri natyrore, por me ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe banorëve, flakët janë vënë nën kontroll.

Ndërsa kjo është situata në Drenie të bashkisë Patos, ku fillimisht flakët u vunë nën kontroll, për t’u riaktivizuar rreth mesditës në thellësi të pyllit. Për shuarjen e vatrës, në operacion janë përfshirë 2 avionë Air Tractor, të cilët kanë përmirësuar disi situatën.

Në Krujë, vijon angazhimi nga toka dhe ajri. Në lagjen Abaze, zjarri është përhapur për shkak të erës, por pa rrezik për banesat. Ndërkohë, në zonën e Krastë–Halilit, situata u paraqit problematike në mëngjes. Në dy vatrat e Krujës janë angazhuar në total 4 helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Dajt, bashkia Tiranë, është riaktivizuar zjarri në pyllin me pisha, mbi tunelet e Qafë Mollës. Ndërkohë, në Priskë e Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të vatrës.

Në malin e Nëmerçkës, bashkia Përmet, vijon puna për shuarjen e flakëve. Ndërkohë, një vatër e re është evidentuar në malin Dhëmbel, mbi fshatin Badilonjë.

Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, është evidentuar një zjarr në sipërfaqe me pyll pishe dhe kullotë.

Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 165 forca operacionale, 85 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe janë zhvilluar 7 misione ajrore me helikopterë dhe 2 misione me avionë Air Tractor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër